Listat e veteranëve: Qeveria do të nis “pastrimin” pasi të pranojë vendimin e gjykatës
Foto: Laura Hasani

Listat e veteranëve: Qeveria do të nis “pastrimin” pasi të pranojë vendimin e gjykatës

Aktuale July 15, 2025 - 20:22

19 mijë e 500 veteranë në të ardhmen pritet t’i nënshtrohen edhe një rivlerësimi për të mbajtur ose jo statusin e veteranit.

Gjykata Themelore në Prishtinë gjatë shpalljes së aktgjykimit për këtë rast, ku dënoi 10 nga 12 të akuzuarit, ka obliguar Qeverinë e Kosovës që përmes komisioneve përkatëse në procedurë administrative të bëjë rishqyrtimin e listës prej 19 mijë e 500 veteranëve, që pretendohet se nuk i kanë plotësuar kriteret.

Nga Qeveria e Kosovës, nuk kanë kthyer përgjigje zyrtarisht, por këshilltari i Kryeministrit për Çështje të Kategorive të Dala nga Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Aziz Bici përmes telefoni tha se janë në pritje të aktgjykimit të plotë nga Gjykata për të shikuar më pas se si do të veprohet.

Të gatshëm për këtë janë shprehur edhe në organizatën e veteranëve të UÇK-së, ndonëse vendimin e Gjykatës e vlerësojnë si të ndikuar politikisht.

“Organizata e veteranëve të luftës është e gatshme jo vetëm qeverisë por edhe institucioneve të sigurisë me i ndihmu të gjitha ato mundësit që i kem ne me i ofru për me zbardh të verteten por jem pak skeptik nëse ka kompetenca qeveria në detyrë me themelu një komision të ri duke pas parasysh që nuk ka organ tjeter me i riverifiku këta 19 mijë e 500 persona përmes komandantëve..” , ka thënë Gazmend Syla nga OVL e UÇK-së.

E në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se duhet pritur që vendimi të bëhet i plotfuqishëm dhe se pastaj është shumë lehtë të pastrohen listat.

“Komisioni i zyrës së kryeministrit kurdo që formohet do të duhej që të kryente detyrat e përgjegjësit e tyre në bazë të ligjit për të siguruar integritetin e këtij procesi dhe në një mënyrë për tua njohur kontributin veteranëve të vërtet të UÇK-së”, ka thënë Ehat Miftaraj. 

Gjykata Themelore në Prishtinë në rigjykim i shpalli fajtor dhe i ka dënuar me nga një vit burgim ish-kryeministrin Agim Çeku dhe 9 të akuzuarit: Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj, Sadik Halitjaha, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Faik Fazliu, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari, në rastin “Veteranët”.

Por, nga akuzat u liruan Nuredin Lushtaku dhe Smajl Elezaj.

Për këtë gjatë së ditës pati reagim edhe nga i dënuari Shukri Buja i cili e quajti vendimin qesharak e të ndikuar politikisht./dukagjini