
LDK-ja mirëpret vendimin e Supremes për arkat: Konfirmon shkeljet e rënda
Lidhja Demokratike e Kosovës ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Supreme për shfuqizimin e Udhëzimit Administrativ për arkat fiskale digjitale, duke theksuar se ai konfirmon qartazi shkeljet e rënda kushtetuese dhe ligjore nga ana e deputetëve të cilët, sipas saj, edhe pas certifikimit si deputetë, kanë vijuar të ushtrojnë funksione ekzekutive.
“Gjykata Supreme ka konstatuar qartazi se ministrat e certifikuar si deputetë, në çdo nxjerrje vendimi veprojnë në shkelje të rëndë ligjore, kanë uzurpuar dhe po ushtrojnë funksionet në mënyrën e paligjshme dhe arbitrare pas përfundimit të mandatit,” thuhet në komunikatën e LDK-së.
Sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës, në emër të interesit publik dhe rendit demokratik kushtetues, ajo ka ushtruar deri më tani 17 kallëzime penale kundër ish-ministrave që kanë vazhduar të marrin vendime si ministra në detyrë, ndonëse ishin certifikuar si deputetë.
“LDK-ja ka ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore për të mbrojtur rendin kushtetues dhe integritetin institucional të Republikës. Në këtë drejtim, LDK nesër do ta deponojë këtë vendim të Gjykatës Supreme në Prokurori si dëshmi e argumentimit tonë në këto 17 kallëzime penale,” thuhet tutje në deklaratë.
LDK i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të trajtojë me prioritet këto çështje.
“LDK-ja kërkon nga Prokuroria e Shtetit që të trajtojë me prioritet këto shkelje të rënda kushtetuese dhe ligjore dhe të veprojë pa vonesë mbi bazën e kallëzimeve penale të parashtruara nga deputetët tanë. Vendimi i Gjykatës Supreme tashmë e ka konfirmuar se kemi të bëjmë me veprime kundërkushtetuese dhe të kundërligjshme,” thuhet në komunikatë.
Ndërkohë, kreu i këtij subjekti politik, Lumir Abdixhiku, ka njoftuar në një postim në rrjetet sociale se nesër, LDK do ta dorëzojë këtë vendim zyrtarisht në Prokurori.
"Kur LDK dorëzoi 17 kallëzime penale në Prokurorinë Speciale, për të gjithë ata që sillen njëkohësisht si ministra dhe deputetë, Prokuroria nëpërmjet një letre, kërkoi argumente shtesë nga ne", ka shkruar ai.