Arrihet marrëveshja, studentët me praktikë në institucionet korrektuese

Arrihet marrëveshja, studentët me praktikë në institucionet korrektuese

Aktuale July 15, 2025 - 16:21

Studentë të Departamentit të Punës Sociale do të mund të nisin praktikën në institucionet korrektuese për një periudhë prej 15 javësh gjatë semestrit veror, kjo pasi Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Departamenti i Punës Sociale i Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi.

Siç bëhet e ditur, përmes kësaj marrëveshjeje, palët synojnë jo vetëm t’u mundësojnë studentëve përvojë praktike, por edhe të kontribuojnë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të stafit të Shërbimit Korrektues.

“Në këtë kuadër, Departamenti i Punës Sociale bashkë me Shërbimin Korrektues dhe donatorët do të organizojnë trajnime për zyrtarët e SHKK-së, ndërsa studentëve do t’u ofrohen trajnime në tematika të ndryshme relevante për fushën e shërbimit korrektues”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Korrektues.

Gjithashtu, thonë ata, memorandumi parashikon mbështetje për kryerjen e hulumtimeve shkencore të Departamentit të Punës Sociale mbi temat që lidhen me institucionet korrektuese.

“Rezultatet e punës së studentëve do të ndahen me Shërbimin Korrektues, duke respektuar të drejtën autoriale të tyre”, bëhet e ditur tutje.

Ky memorandum bashkëpunim sipas SHKK-së, shërben si një platformë e rëndësishme që sjell përfitime të ndërsjella për të dyja palët.

“Studentët e Departamentit të Punës Sociale përfitojnë nga mundësia për të fituar përvojë praktike dhe njohuri të specializuara në fushën e shërbimit korrektues, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës fuqizon kapacitetet e tij profesionale përmes trajnimeve, hulumtimeve dhe energjisë së re që sjellin studentët praktikantë”, thuhet në njoftim, pas nënshkrimit të marrëveshjes mes të dyja institucioneve.