
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bën thirrje partive politike të rrisin përfaqësimin e grave në zgjedhjet lokale 2025
Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore (SGG) u bën thirrje të gjitha partive politike në Kosovë që të respektojnë obligimet e tyre sipas Ligjit për Barazi Gjinore dhe të ndërmarrin hapa konkretë për të rritur emërimin, fuqizimin dhe përkrahjen e kandidateve gra, veçanërisht për pozitat e kryetareve të komunave në zgjedhjet e ardhshme lokale.
Në reagimin e tyre thuhet se “edhe pse korniza ligjore zgjedhore në fuqi parasheh vetëm një kuotë gjinore prej 30% për listat zgjedhore, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të partive politike që të udhëhiqen nga fryma e Kushtetutës dhe Ligjit për Barazi Gjinore dhe të paraqesin lista kandidatësh të bazuara në barazinë gjinore”.
“Megjithatë, në zgjedhjet lokale të vitit 2021, vetëm 2 nga 38 kryetarë komunash të zgjedhur ishin gra, ndërsa gratë përbëjnë vetëm 16% të anëtarëve të kuvendeve komunale, duke theksuar barrierat strukturore të vazhdueshme për udhëheqjen dhe pjesëmarrjen e grave në vendimmarrje politike. Ky nënpërfaqësim jo vetëm që bie ndesh me frymën e Kushtetutës dhe Ligjit për Barazi Gjinore, por paraqet edhe një mundësi të humbur për zhvillim demokratik dhe gjithëpërfshirës të Kosovës. Gratë sjellin perspektiva thelbësore, udhëheqje dhe zgjidhje për sfidat me të cilat përballen komunat – nga siguria në komunitet tek arsimi, shëndetësia dhe zhvillimi ekonomik”, vijon reagimi.
Mes të tjerash, thuhet se Grupi për Siguri dhe Barazi Gjinore u bën thirrje të gjitha partive politike që të shkojnë përtej kërkesave minimale ligjore dhe të nominojnë në mënyrë proaktive, të promovojnë dhe fuqizojnë gratë si kandidate në nivel lokal.
“Kjo përfshin adresimin e barrierave financiare, institucionale dhe kulturore që pengojnë pjesëmarrjen e barabartë të grave, rritjen e përfaqësimit të tyre në media dhe krijimin e një ambienti pa diskriminim, ngacmim apo dhunë. Në këtë kontekst, dëshirojmë të iu rikujtojmë të gjithë akterëve politikë angazhimin e fuqishëm tashmë të ndërmarrë nga shumë prej tyre, pasi 66 deputetë të legjislaturës së kaluar kanë nënshkruar Deklaratën për Eliminimin e të Gjitha Formave të Dhunës ndaj Grave në Politikë dhe Jetën Publike. Kjo deklaratë nuk është vetëm një dokument, por një zotim publik – një angazhim që aktualisht promovohet aktivisht në mbarë Kosovën”, bëhet e ditur në komunikatë.
Tutje, theksohet se “ajo pasqyron një mirëkuptim të përbashkët se siguria, dinjiteti dhe pjesëmarrja e barabartë e grave janë thelbësore për procese demokratike funksionale – një angazhim që duhet të ruhet dhe respektohet gjatë zgjedhjeve të ardhshme lokale”.
“Qeverisja gjithëpërfshirëse nuk mund të arrihet pa përfaqësim të plotë dhe të barabartë të grave. SGG qëndron e gatshme të mbështesë institucionet kombëtare dhe lokale në avancimin e barazisë gjinore në jetën politike dhe sigurimin që zërat e grave të formësojnë të ardhmen e çdo komuniteti në Kosovë”.