
Çitaku: LVV-ja s’ka ofruar asnjë zgjidhje, PDK-ja s’i nënshtrohet diktatit të liderit suprem
Sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, është shprehur se Kosova është shumë më e madhe sesa egoja e Albin Kurtit dhe ambicia e Albulena Haxhiut.
Ajo u shpreh se PDK-ja nuk u ka ikur asnjëherë takimeve për bashkëpunim, mirëpo vlerëson se ato mund të rezultojnë të kota, nëse kreu i LVV-së nuk reflekton në qëndrimet e tij.
“PDK-ja asnjëherë nuk u ka ikur takimeve, gjithmonë ka qenë e hapur për bashkëpunim dhe konstruktivitet. Por fatkeqësisht tashmë ka kaluar koha e fjalëve, është koha e veprimeve”.
”Ne mund të takohemi pafundësisht, mirëpo nëse Kurti diktatin dhe kryeneçësinë vazhdon ta shndërrojë në instrument politik, atëherë takimi është i kotë”.
“Ne nuk i kemi ikur asnjë lloj takimi. Është për keqardhje mënyra sesi po e trajtojnë Kuvendin e Kosovës. LVV-ja nuk e ka ofruar asnjë zgjidhje, ata kanë ofruar nënshtrim dhe PDK-ja nuk i nënshtrohet diktatit të liderit suprem”.