
Shukri Buja pas vendimit për “Veteranët”: Asgjë dhe askush s’më ndal në rrugën për kryetar të Lipjanit
Kandidati i PDK-së për kryetar të Lipjanit, Shukri Buja, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës në rastin “Veteranët”, ku ai u dënua me një vit burg.
Buja ka thënë se vendimi nuk është i formës së prerë dhe ai do ta vazhdojë rrugën për kryetar të Lipjanit.
“Tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani. Unë kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë time në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim së bashku me bashkëluftëtarët, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve, si dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë. Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore”, ka shkruar Buja ndër të tjera, shkruan Zeri.info.
Reagimi i plotë i Bujës, pa ndërhyrje:
Të nderuar qytetarë,
Të nderuar anëtarë e simpatizantë të PDK-së,
Tentimi për të më ndalur në rrugëtimin tim politik, përmes një vendimi të pabazë, qesharak dhe politik, është i dështuar që në nisje. Asgjë dhe askush nuk do ta ndalë përpjekjen time për të ndryshuar drejtimin e gabuar që ka marrë Lipjani.
Unë kam respektuar dhe vazhdoj të respektoj organet e drejtësisë së Republikës së Kosovës, një shtet për të cilin kam sakrifikuar rininë time në burgjet serbe, kam luftuar për çlirim së bashku me bashkëluftëtarët, kam ndihmuar në ndërtimin e institucioneve, si dhe kam shërbyer me përkushtim e përgjegjësi në komunën tonë.
Edhe kur drejtësia merr vendime të padrejta e të motivuara politikisht unë nuk i mohoj, por i sfidoj me dinjitet dhe në rrugë ligjore.
Dua t’ju njoftoj se rrugëtimin tim politik për të udhëhequr Komunën e Lipjanit do ta vazhdoj me vendosmëri, sepse ligji nuk e ndalon kandidimin tim.
Vendimi i Gjykatës Themelore nuk është i formës së prerë dhe për këtë arsye unë do të vazhdoj betejën ligjore deri në fund.
U përballa me drejtësinë serbe, me drejtësinë ndërkombëtare dhe me sfida të shumta brenda institucioneve të shtetit tonë për më shumë se dy dekada dhe nga të gjitha dola i pastër dhe fitimtar.
Kjo e fundit? Një betejë e vogël, qesharake dhe e motivuar politikisht, dhe si e tillë do të përfundojë atje ku u takon vendimeve të padrejta: në shportën e mbeturinave historike.