
“E mbajta brenda vetes deri në vitin 2021”, rrëfimi i të mbijetuarit të dhunës seksuale
Debat Plus ka sjell një rrëfim ekskluziv, personal dhe tronditës të një të mbijetuari të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, i cili për më shumë se 20 vjet nuk kishte folur me askënd për dhunën që kishte përjetuar.
Vendimi për të ndarë këtë barrë të rëndë erdhi në vitin 2021, kur ai iu drejtua Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).
“Po mu ka dokë si me më za Prishtina, po e vendosa, a din, se gjithë e kam pasë mllef ata me tregu, brengë e kam pasë gjithë”, rrëfen ai, ndërsa tregon se si ndjeu frikë e turp para se të hynte për herë të parë në qendër.
Por brenda vetes kishte një nevojë të fortë për të treguar, për të bërë zë për atë që i kishte ndodhur jo vetëm atij, por mijëra burrave dhe grave të Kosovës.
Pas kontaktit me profesionistët e QKRMT-së, ai filloi të ndihej pak më mirë.
“Po, se këta tash me dhanë pak këshilla, më flasin, tash jam pak ma mirë edhe kam thanë thirrnum gjithë dha intervista çka më ka ndodhë krejt”, thotë ai, duke përmendur edhe komunikimin e vazhdueshëm që mban me këshilltaren e tij, ******.
Por, pavarësisht kësaj, ai ende e përjeton traumën në përditshmëri – ditë të tëra kalon vetëm në dhomë, ose ec me orë të tëra i vetëm, për të gjetur qetësinë.
Përkrahja më e madhe i ka ardhur nga gruaja e tij.
“Po gruaja s’kish çka me tha, s’të ka ndodhë, tha, veç ty, ju ka ndodhë tanve”.
Por jo të gjithë e kanë përjetuar njësoj, njëri nga djemtë e tij nuk e përkrah plotësisht.
“Po ma i ri, hala nuk është i pjekur, po kështu nuk ma përmendin”, thotë i mbijetuari me një ton të qetë, por të hidhur.
Ai shpreson se një ditë do ta kuptojë të vërtetën, se kjo nuk ishte një zgjedhje, por një krim i kryer nga forcat serbe që shkatërruan jetë e dinjitet.
Në fund të bisedës, ai pranon se rrëfimet publike të Vasfijes, Shyhretës dhe Ramadanit i kanë dhënë zemër dhe e kanë motivuar shumë.
“Po këta e kanë marrë guximin, po ka me ardhë koha që ka me dal edhe unë… Po, edhe shumë shpejt ka me dalë edhe ka me ardhë në këtë studio tënde”, thotë ai duke e konsideruar rrëfimin si një formë çlirimi, por edhe si një detyrim për të ndriçuar një të vërtetë të errët, që shoqëria shpesh e ka shtypur me heshtje.