
Kriza institucionale, temë e diskutimit në takimin e Abdixhikut me Pierce
Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka pritur sot në selinë qendrore, të Dërguarën e Posaçme të Britansië së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Karen Pierce.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet e fundit politike në vendin tonë, me theks të veçantë mbi krizën institucionale që po e pengon funksionalizimin e institucioneve të Kosovës.
Kështu ka njoftuar vetë kreu i LDK-së përmes një postimi në Facebook, ku ndër të tjera thotë se ka nënvizuar domosdoshmërinë urgjente për krijimin e institucioneve legjitime dhe funksionale, duke theksuar se zvarritja e këtij procesi po ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve tanë.
“Gjithashtu, fola edhe për nevojën e rrugëtimit të shpejtë të Kosovës në familjen euroatlantike. Duke parë mundësinë e mirë gjeopolitike, duke parë hapat dhe interesin evropian ndaj Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kosova duhet të vendosë veten në rresht të tyre; jo në ngecje me Serbinë. Për këtë na duhet një qeveri e përgjegjshme, që shfrytëzon mundësitë historike”, ka shkruar Abdixhiku.