
Eliza Hoxha: Shteti ka dështuar të mbrojë qytetarët e tij në Hagë
Deputetja e PDK-së Eliza Hoxha nga Platforma “Liria ka emër” ka kritikuar ashpër institucionet e Kosovës për mënyrën se si e kanë trajtuar raportin me Dhomat e Specializuara në Hagë. Ajo ka theksuar mungesën e llogaridhënies, transparencës dhe mbështetjes institucionale për të akuzuarit kosovarë që po gjykohen atje.
Hoxha ngriti shqetësime për funksionimin dhe qëllimin themelor të Dhomave të Specializuara, duke thënë se aktakuzat aktuale nuk përputhen me rrëfimin për të cilin ishte themeluar ky institucion.
“Qysh në fillim kemi qenë të zëshëm dhe me shumë delikatesë e kemi adresuar ndjeshmërinë dhe faktin që këto dhoma operojnë jashtë territorit të Kosovës. Juridikisht dhe kushtetueshëm, ato i detyrohen Kosovës, por ka munguar përgjegjësia e vërtetë për llogaridhënie,” theksoi Hoxha.Ajo kritikoi edhe mënyrën se si janë mbajtur seancat informuese nga përfaqësuesit e Dhomave të Specializuara, duke i cilësuar ato si formale dhe pa mundësi për dialog real me publikun. “Këto procese ishin vetëm për të bërë një ‘tik’, jo për të informuar publikun se çfarë po ndodh realisht në Hagë,” tha ajo, duke përmendur edhe mungesën e hapësirës për pyetje në prezantimet e kryetares Ekatarina Trendafilova.
Hoxha përkujtoi se tre vite më parë, Komisioni për të Drejtat e Njeriut kishte kërkuar të vizitonte të akuzuarit në Hagë për të vëzhguar gjendjen e tyre, por kjo nuk ishte lejuar. Ajo e cilësoi këtë si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të parimit të prezumimit të pafajësisë.
“Shteti i Kosovës ka dështuar të sigurojë mbështetje juridike dhe financiare për qytetarët e vet. Janë dashur individë, PDK-ja dhe fondacione të ndryshme që të ndërhyjnë për të ndihmuar procesin e mbrojtjes,” u shpreh Hoxha, duke kritikuar edhe reduktimin e fondeve për mbrojtjen përmes një udhëzimi administrativ.
Ajo përfundoi se përgjegjësia është e dyanshme: Dhomat e Specializuara që kanë funksionuar në mënyrë të mbyllur e të anshme dhe institucionet e Kosovës që kanë treguar mosinteresim dhe mungesë angazhimi për qytetarët e vet të akuzuar.
Ndryshe, sot në konferencën “Lira ka Emër”, akademik Arsim Bajrami ka kritikuar Gjykatën Speciale, duke e akuzuar për shkelje të Kushtetutës së Kosovës, të drejtave themelore të njeriut dhe për komplot ndaj luftës çlirimtare të UÇK-së.
Bajrami e cilësoi këtë Gjykatë si “derivat i një raporti të rremë dhe të fabrikuar nga Dick Marty”, që sipas tij u sponsorizua nga Rusia dhe Serbia.
Ai tha se përmes këtij procesi, po tentohet të rishkruhet historia moderne e Kosovës dhe të inkriminohet padrejtësisht lufta çlirimtare.
“Gjykata Speciale është një projekt i montuar politikisht për ta shtrembëruar të vërtetën historike të luftës sonë çlirimtare. Ajo është ndërtuar mbi një mashtrim ordiner të Raportit të Martyt dhe për këtë heshtja e Këshillit të Evropës është bashkëfajësi e pastër”, theksoi Bajrami.
Ai kritikoi ashpër edhe vetë institucionet e Kosovës, duke i konsideruar si të dështuara në mbrojtjen e luftës çlirimtare dhe të qytetarëve që po përballen me këtë proces gjyqësor.
“Kuvendi e formoi Gjykatën Speciale me mirëbesim për drejtësi, por ajo tani është shndërruar në një gjykatë monoetnike e diskriminuese, që bashkëpunon më shumë me Serbinë sesa me autoritetet e Kosovës”, deklaroi ai.
Bajrami renditi një sërë shkeljesh që, sipas tij, e bëjnë këtë gjykatë të paligjshme dhe të paragjykuar: mbajtje të gjatë e të pajustifikuar në paraburgim, mohimi i barazisë së palëve në proces, dëshmi të fabrikuara e të përcjella nga shërbimet sekrete serbe, si dhe mungesë totale transparence dhe monitorimi ndërkombëtar.
Në lidhje me aktakuzën për “ndërmarrje të përbashkët kriminale”, Bajrami tha se ajo është juridikisht e paqëndrueshme dhe politikisht e rrezikshme.
“UÇK-ja nuk ka qenë ushtri shtetërore me komandë qendrore. Ishte një lëvizje popullore, një guerile patriotike që s’kishte as strukturë shtetërore dhe as plan të përbashkët kriminal. Plani i vetëm shtetëror ishte ai i Serbisë për shfarosjen e shqiptarëve, përmes operacionit gjenocidal ‘Patkoi’”, theksoi akademiku.
Ai kritikoi rëndë institucionet kosovare për dështimin në mbështetjen e të akuzuarve dhe në ndërkombëtarizimin e shkeljeve që po ndodhin në këtë proces./dukagjini