
Canaj: Deklarata e Osmanit për Trumpin, lojë për konsum të brendshëm politik
Analisti politik Blerim Canaj, ka komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani lidhur me ndalimin e një sulmi të mundshëm ndaj Kosovës, për të cilin ajo tha se ishte parandaluar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas Canajt, presidentja Osmani mund të ketë pasur të drejtë në interpretimin e saj, por mënyra dhe momenti i deklaratës, sipas tij, sugjerojnë se bëhej fjalë për një veprim të motivuar politikisht dhe të orientuar për konsum të brendshëm.
“Deklarimet e Vjosa Osmanit kanë qenë më shumë për konsum të brendshëm politik, pasi ajo dëshiron ta paraqesë veten si personin kyç që ka kontakt me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo po tenton të forcojë imazhin e saj si e vetmja përfaqësuese legjitime e Kosovës në raport me SHBA-të,” u shpreh Canaj.
Ai po ashtu përmendi spekulimet për mundësinë që Osmani të formojë një subjekt të ri politik, duke thënë se këto lëvizje mund të shihen si presion ndaj partive ekzistuese, përfshirë LDK-në dhe LVV-në.
“E gjithë kjo i bie që Osmani po bën një lojë politike për interesa të saj personale. Ndërkohë, mesazhi i Richard Grenell bën një ndarje të qartë mes individëve dhe institucioneve shtetërore. Kur flitet për SHBA-në, unë i besoj një zyrtari amerikan më shumë sesa një deklarate politike të Vjosa Osmanit,” tha Canaj.
Kujtojmë se deklarata e Osmanit erdhi pas fjalëve të Trumpit, i cili në një paraqitje publike përmendi se “ndaloi një luftë serioze” mes Kosovës dhe Serbisë. Deklarata e saj u pasua me reagimin e ashpër të emisarit amerikan Richard Grenell, i cili e akuzoi presidenten Osmani për manipulim të deklaratave të Trumpit./teve1