Koci: Fjalori i Grenellit ndaj Osmanit nuk është as miqësor e as diplomatik
Foto: Laura Hasani

Koci: Fjalori i Grenellit ndaj Osmanit nuk është as miqësor e as diplomatik

Aktuale July 14, 2025 - 17:31

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë–Serbi, Richard Grenell, ka akuzuar presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, se i ka shtrembëruar deklaratat e Trumpit lidhur me ndërhyrjen e tij në situatën e sigurisë në Ballkan.

Analisti politik, Melazim Koci ka deklaruar në emisionin “Five” se deklarimet e Grenellit , ka komentuar deklaratat dhe reagimet e fundit që pasuan fjalimin e Presidentes Vjosa Osmani lidhur me marrëveshjen e Uashingtonit dhe rolin e ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Koci tha se kjo situatë nuk do të ketë pasoja reale, duke e cilësuar si një “shtrëngatë në gotë uji”.

“Presidentja Osmani ka folur në dy drejtime: njëherë për deklaratën e presidentit Trump se ai kishte shmangur një luftë, dhe pastaj për aspektin e marrëveshjes së Washingtonit. Ajo nuk i ka manipuluar fjalët e Trump, as në përmbajtje, e as në kohë — me deklaratat që datojnë 29 qershor dhe 9 korrik,” tha Koci.

Ai shtoi se sulmi publik i ish-emisarit amerikan Richard Grenell ndaj Presidentes Osmani nuk është as miqësor e as diplomatik dhe nuk reflekton marrëdhënien që Kosova ka me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse një deklaratë e tillë do të vinte nga zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, atëherë mund të kishte pasoja. Por në këtë rast, është thjesht një reagim i panevojshëm personal,” theksoi ai.

Ish-diplomati, Syle Ukshini, në një prononcim për Five në Dukagjini, ka kritikuar ashpër deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani lidhur me përpjekjet për shmangien e një lufte gjatë mandatit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, duke e cilësuar si një “papjekuri politike dhe delikat diplomatik”.

Sipas tij, Presidentja ka vepruar jashtë rolit kushtetues dhe pa koordinim institucional. Ai ka listuar tri arsye kryesore pse kjo deklaratë ishte problematike:

Mungesa e veprimit institucional: “Nëse ka pasur informacione që dallojnë nga ato të kryeministrit, pse nuk ka thirrur Këshillin e Sigurisë Kombëtare?”, pyeti ai, duke nënvizuar mungesën e veprimeve konkrete në rast të ndonjë rreziku real.

Mungesa e transparencës: “Presidentja është dashur të komunikojë me qytetarët dhe me mediat për të sqaruar nëse ndodhemi përballë një rreziku të tillë”, shtoi ish-diplomati, duke theksuar se mungesa e një komunikimi të tillë lë vend për dyshime dhe interpretime të gabuara.

Tendencë për protagonizëm: “Nëse nuk kanë ndodhur këto hapa, atëherë deklarata e saj përbën një papjekuri dhe tentim për protagonizëm personal, që pa bazë shtetërore kthehet në ‘boomerang’ për vetë institucionin e Presidencës”, u shpreh ai.