Festa franceze dhe ngërçi aktual, Gueroti mbledh sonte figura të Kosovës dhe përfaqësues ndërkombëtarë
Foto: Laura Hasani

Festa franceze dhe ngërçi aktual, Gueroti mbledh sonte figura të Kosovës dhe përfaqësues ndërkombëtarë

Aktuale July 14, 2025 - 09:40

Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, do të organizojë sonte një pritje solemne në Prishtinë me rastin e 14 Korrikut, Festës Kombëtare Franceze.

Ngjarja pritet të mbledhë figura kyçe të politikës së Kosovës, si dhe përfaqësues të rëndësishëm të bashkësisë ndërkombëtare që veprojnë në vend, transmeton klankosova.

Kjo pritje do ta gjejë Kosovën në një moment të ndjeshëm, me institucione ende të pakonstituuara shtetërore. Në këtë kontekst, nuk përjashtohet mundësia që ngjarja të shndërrohet në një hapësirë joformale për diskutime të rëndësishme politike dhe diplomatike.

Mund të pritet që ambasadori Guerot, përmes këtij eventi, të krijojë një mundësi për dialog mes përfaqësuesve vendorë dhe ndërkombëtarë, në përpjekje për të ndihmuar në gjetjen e një rruge të përbashkët për dalje nga ngërçi aktual. Në mungesë të institucioneve funksionale, takime të tilla simbolike mund të shërbejnë si terren për nisma të reja, koordinim dhe vendimmarrje strategjike.

Nëse prania e liderëve politikë dhe diplomatëve të huaj do të shfrytëzohet për më shumë sesa vetëm përvjetor ceremonial, mbetet për t’u parë.

Megjithatë, në këtë periudhë të paqartësisë politike, pritja e ambasadorit francez mund të marrë një peshë më të madhe sesa zakonisht-atë të një hapësire për sinjale dhe ndoshta, edhe për zgjidhje.