Rama shpërthen ndaj LVV-së: S’janë parti, por sekt me “babën” në krye
Foto: Laura Hasani

Rama shpërthen ndaj LVV-së: S’janë parti, por sekt me “babën” në krye

Aktuale July 13, 2025 - 14:17

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama ka shpërthyer me akuza ndaj Lëvizjes Vetëvendosje dhe liderit të saj Albin Kurti.

Rama ka thënë se, LVV-ja nuk është as subjekt politik dhe se më shumë i ngjason një “sekti”.

Këto komente ai i bëri në emisionin “Oxygen” me Besim Dinën.

“Kemi bërë për vite të tëra një luftë si popull për t’u çliruar nga okupatori serb, e tash po na ‘okupojnë’ këta partiakët – çifti i Kurtit me ekipin e tij. Unë mendoj se as parti politike nuk janë, por një lloj sekti; kanë aty babën dhe askush nuk guxon të bëjë asgjë”, tha Rama.

Ai tutje u shpreh se nuk është se ka ndonjë problem me ta.

“Nuk kam asnjë problem me ta. Unë kam respektin më të madh për të gjithë votuesit në mënyrë demokratike që votojnë për secilën parti, por një klan i ngushtë aty që e shfrytëzon partinë për nevojat dhe egot e veta e i bllokon të gjitha proceset është për të ardhur keq”, u shpreh Rama.

Këto komente vijnë në kohën kur Rama e akuzon qeverinë për bllokimin e disa projekteve në kryeqytet, duke e quajtur qasjen e saj jopërkrahëse dhe të mbyllur ndaj bashkëpunimit institucional.