
Qytetarët të revoltuar me moskonstituimin e Kuvendit: Turp, kjo është anti-shtet
As në përpjekjen e 45-të radhazi, Kuvendi i Kosovës nuk arriti të konstituohet, pavarësisht kalimit të muajve që nga zgjedhjet e 9 shkurtit.
Ky bllokim i zgjatur institucional ka shkaktuar pakënaqësi dhe revoltë në mesin e qytetarëve, të cilët e shohin këtë situatë si shkelje të vullnetit të tyre dhe dështim të klasës politike për të përmbushur përgjegjësitë kushtetuese.
Në një intervistë për Ekonomia Online, Gjon Qoqaj kritikoi ashpër deputetët dhe drejtuesit politikë duke i quajtur “të pafytyrë” dhe “pa moral”, ndërsa shtoi se “45 seanca janë dëshmi e papërgjegjësisë totale”.
“Më vjen shumë keq sepse po duhet çdoherë me kritikuar, po e shihni edhe vet askush nuk jep përgjegjësi askush, si është populli janë edhe deputet, ata janë një brumë prej këtij populli janë dalë atje. Vetëm kur të prekin në interesa personale, për ato shtetërore nuk i intereson askujt. Këta janë të pafytyrë, nuk kanë karakter, nuk kanë burrni as moral. Këta mëditjen e marrin, vijnë dy minuta dhe dalin, këta vetë vetit ia ulin autoritetin. 45 seanca çka me iu thënë këtyre, parlamentar këta me përfaqësu popullin, këta janë hajna të gjithë vetëm për vete, vijnë rregullohen edhe rrinë e shkojnë. I mençuri lëshon pe, çfarë kryeministri je ti që 45 herë ka dështuar, me i lënë këta 20 vjet shkojnë”, theksoi Qoqaj.
Edhe Sulejman Muqiqi e quajti situatën “turp”, ndërsa kërkoi ndërrimin e kandidatit për krye parlamentar.
“Është marrë më e madhe që ekziston e kryetarit të partisë VV-së që i bënë këto punë, kjo është marrë, 45 seanca që ka mundur të kryhet deri në seancën e tretë, nëse nuk e bëjnë me ndërru kandidatin. Kjo është turp, populli ka nevoja, ka shtrenjtime të mëdha, rritje të energjisë elektrike e këta luajnë, bëjnë hajgare”, shtoi Muqiqi.
Sali Berisha e cilësoi këtë si një krizë të thellë politike dhe institucionale, duke e quajtur “të tmerrshme” dhe “anti-shtetërore”.
“Nuk ke çka të thuash, teprojmë se nuk ka mbetur më fjalë, as nuk po bënë punë, por megjithatë është e tmerrshme. Përgjegjësia bie mbi atë që ka për obligim t’i krijojë institucionet. Nuk kemi koment se si e shpreh mllefin ndaj kësaj, thonë për libër të Ginisit por e ka tejkaluar çdo normë civilizese, është e tmerrshme, është për marrë. Është anti-vend dhe komb”, përfundoi Berisha.
Ndryshe, sot pritet të mbahet seanca e radhës në Kuvendin e Kosovës në orën 11:00, në përpjekje për të zhbllokuar ngërçin politik që ka zgjatur prej më shumë se katër muajsh. Vazhdimi i seancës së sotme, është përpjekja e 46-të për të konstituuar Kuvendin e Kosovës.