
Gërvalla reagon në Dubrovnik: “Kosovë e Metohi” është gjuhë hegjemoniste
Zëvendëskryeministrja në detyrë dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla ka reaguar ashpër në panelin e diskutimit në kuadër të forumit të Dubrovnikut lidhur me gjuhën e përdorur nga përfaqësuesit serb, përkatësisht termin ‘Kosovë e Metohi’.
“Ajo që më bën jo të zemërohem, por të ndihem e trishtuar është ajo që përjetuam sot. U përballem me një përfaqësues të ri të gjeneratës së re, duke buzëqeshur dhe duke përdorur gjuhën e Millosheviqit. Nuk ka ‘Kosovë e Metohi’. Pavarësisht nëse e thua me buzëqeshje apo nëse e thua me armë në dorë është shprehje e politikës hegjemoniste të Serbisë, jo vetëm ndaj Kosovës”, ka theksuar Gërvalla.
Ajo tutje ka thënë se nuk mund të vazhdohet të flitet sikur gjithçka është në rregull, pas një gjuhe të tillë.
“Nëse flasim për Banjskën sapo kemi përjetuar justifikimin e asaj që ndodhi. Në Banjskë nuk pati incident. Aty pati një akt të qartë agresioni të hapur ndaj një vendi fqinj, me qindra paramilitarë që erdhën me armë por edhe 300 të tjerë, jo vetëm me armë dhe kallashnikov, por me armë kundërtanku, armë kundërajrore dhe armë shumë moderne të financuara, organizuara dhe dërguara nga shteti i Serbisë”, ka shtuar Gërvalla gjatë adresimit të saj në panelin e forumit të Dubrovnikut.
Ajo tutje ka thënë se të gjithë e shohim se sa kokëfortë janë autoritetet serbe, pavarësisht presionit nga bashkësia ndërkombëtare, për të mos e dorëzuar Radojçiqin.
“...sepse të gjithë e dinë që Radojçiqi është dërguar nga shteti i Serbisë. Duhet të flasim për këto gjëra. Përndryshe do të vazhdojmë të flasim për integrim dhe të gjithë do ta dinë që nuk jemi seriozë. Jo ‘Kosovë e Metohi’. Ju lutem jeni skeptikë ndaj çdo personi që ju flet për ‘Kosovë e Metohi’ para syve sepse kjo është thjesht hegjemonizëm”, ka nënvizuar Gërvalla.
Ajo në fund ka hedhur poshtë edhe pohimet e palës serbe për 80 incidente etnike në Kosovë.
“As BE-ja, as OSBE-ja, as SHBA-të, as shtetet e Bashkimit Evropian, as KFOR-i, askush nuk thotë se kanë ndodhur incidente etnike. Është gjithmonë strategjia e Serbisë - që agresori të paraqitet si viktimë. Dje isha në Srebrenicë dhe pashë ato pamje të shëmtuara, ku paraqiteshin sërish agresorët si viktima. Thirrja ime për shoqërinë serbe është: ju lutem zgjohuni dhe çlirojeni rajonin nga të qenit gjithmonë peng i politikave të gabuara të politikanëve tuaj. Buzëqeshje e bukur por gjuhë e shëmtuar - gjuha e Millosheviqit”, ka përfunduar Gërvalla duke i reaguar deklaratës së përfaqësueses së Serbisë në këtë forum.