
Ndërtesës milionëshe të Pallatit të Drejtësisë nuk iu bë zgjidhja e të nxehtit në verë, e të ftohtit në dimër
Në këtë ndërtesë moderne, përuruar me bujë në vitin 2014 si simbol i fuqizimit të sistemit të drejtësisë në Kosovë, mungon ajo më elementarja: oksigjeni i mjaftueshëm.
Me një investim që kalon 25 milionë euro nga Komisioni Evropian dhe Qeveria e Kosovës, Pallatit të Drejtësisë nuk i është bërë zgjidhja e të nxehtit ekstrem në verë, e të ftohtit në dimër.
Zgjidhje nuk ju bë as dekadë pas funksionalizimit.
Me temperatura që kalojnë 35 gradë në zyre e salla gjykimi, punonjësit e drejtësisë përballën me sfida serioze në shëndetin e tyre, për çka janë detyruar të marrin një vendim, reduktimin e orarit të punës.
Kërkesa të njëpasnjëshme, vit pas viti, thuhet se ka pasur gjithmonë, por jo edhe zgjidhje.
Objekti i Pallatit të drejtësisë i cili edhe pas një dekade është nën menaxhimin e Administratës Publike, përkatësisht Ministrisë së Punëve të Brendshme, së fundmi po hetohet nga Prokuroria Themelore në Prishtinë.
Inspektorati i Punës kishte inspektuar gjendjen në Pallatin e Drejtësisë me datë 30 qershor, për çka gjeti se kushtet e punës janë jashtë standardit maksimal të lejuara sipas ligjit.
Shaban GËRXHALIU, administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë
“Mund të ju konfirmoj se dje më datë 30.06.2025 Pallati i Drejtësisë, konkretisht Objekti A dhe D janë vizituar nga Inspektorati i Punës dhe Mbrojtjes në punë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale. Të njëjtit kanë inspektuar kushtet e punës në zyrat e punonjësve të gjykatës, hapësirat e përbashkëta dhe sallat e gjykimeve”, ka thënë administratori i Gjykatës Themelore në Prishtinë, Shaban Gërxhaliu.
Gërxhaliu ka thënë se inspektimi është iniciuar nga sinjalizues të ndryshëm përkitazi me temperaturat e larta që po mbretërojnë në Pallatin e Drejtësisë.
“Pas inspektimit, të njëjtit me procesverbal kanë konstatuar se në të gjitha hapësirat e inspektuara kushtet e punës del të jenë jashtë standardeve maksimale të lejuara sipas legjislacionit në fuqi. Lidhur me këtë, Inspektorët kanë dhënë afat për punëdhënësin deri më 07.07.2025 për eliminimin e parregullsive të konstatuara në procesverbal”, ka shtuar ai.
Megjithatë ndonëse Inspektorati dha datën 7 korrik për eliminimin e parregullsive, sipas zyrtarëve nuk pati asnjë sanim të problemit përveç vendimit për reduktim të orarit të punës.
Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit morën vendim të reduktohet orari i punës.
“Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) dhe Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), shprehin shqetësimin e thellë lidhur me kushtet e papërshtatshme të punës në Pallatin e Drejtësisë, konkretisht në ambientet e Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të shkaktuara nga mosfunksionimi i sistemit të ftohjes dhe temperaturat ekstreme që kanë përfshirë vendin tonë”, thuhej në njoftimin e tyre. S
Sipas këtij njoftimi, për shkak të mosfunksionimit të sistemit të ftohjes dhe temperaturave jashtëzakonisht të larta, temperaturat brenda zyrave të këtyre prokurorive po arrijnë nivele mbi 35°C, duke e bërë të pamundur zhvillimin normal të punës dhe duke rrezikuar seriozisht shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve.
“Në këtë drejtim, KPK dhe ZKPSH u bëjnë thirrje Kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe Prokurorisë Themelore në Prishtinë që, në kuadër të kompetencave të tyre, të marrin masa, përfshirë edhe reduktimin e orarit të punës, deri në përmirësimin e kushteve”, thuhej tutje në njoftim.