Ndërron jetë në Shqipëri ish-ambasadori gjerman, Werner Daum

Ndërron jetë në Shqipëri ish-ambasadori gjerman, Werner Daum

Aktuale July 12, 2025 - 17:23

Në moshën 82-vjeçare, është ndarë nga jeta ish-ambasadori gjerman në Shqipëri, Werner Daum, një nga diplomatët që la gjurmë të veçanta në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Trupi i pajetë i Daum u gjet mesditën e sotme në një dhomë hoteli në Golem, Kavajë, ku ai po qëndronte prej disa ditësh. Sipas të dhënave paraprake nga Policia, nuk janë konstatuar shenja dhune, ndërsa dyshohet se vdekja ka ardhur për shkaqe natyrale. Grupi hetimor po vijon hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.Vetëm pak ditë më parë, ish-ambasadori Daum mori pjesë në Kavajë në ceremoninë e përurimit të shtatores së dëshmorit të demokracisë, Josif Budo, ku u nderua nga kryetari i Bashkisë, Fisnik Qosja, me një Certifikatë Mirënjohjeje për kontributin e tij të veçantë gjatë viteve historike të ndryshimeve demokratike në Shqipëri.Gjatë asaj vizite, ai tregoi edhe një herë dashurinë e madhe që kishte për Shqipërinë. “E dua këtë vend, natyrën e tij të mrekullueshme, malet, detin, qytetet si Berati, Korça, Shkodra, Vlora… dhe mbi të gjitha shqiptarët,” ishte shprehur ai më 10 korrik. “Pas largimit tim nga Shqipëria, e ndjeva detyrë ta sillja më pranë popullit gjerman.”