
“Dora e shtetit na e ka vra” – flet vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu i cili vdiq në rrethana të dyshimta pas arrestimit
Alban Zejnullahu, vëllai i 27-vjeçarit Agon Zejnullahu – i cili vdiq pas arrestimit në Lipjan, është deklaruar për rastin tragjik të vëllait të tij tashmë të ndjerë.
Ai tha se vëllai i tij kishte shenja dhune në fytyrë e në trup, pasi familja ishte thirrur që ta shihte 27-vjeçarin në emergjencë.
“Lajmin e pranuam pas orës 01, na telefonoi dikush nga stacioni policor tha të vijmë në emergjencë…Kur shkuam aty, pam një çarçaf të bardhë përmbi vëllain dhe ishte pa shenja jete”, tha Zejnullahu për T7.
“Kishte shenja në fytyrë sikur të kishte rrahje masive, në trup….”, shtoi ai.
Sipas tij, për vdekjen e vëllait dëgjuan versione si “infarkt e nga ndikimi i alkoolit…”, por ai thotë se “shihet qartë se është vrarë nga dora e shtetit, nga disa policë…Posedojmë video që vërehet duke bërtitë në frymën e fundit dhe e goditin në fytyrë dhe aty më nuk lëvizë”, tha Zejnullahu mes dhimbjes së madhe për vdekjen e të vëllait.
Çfarë ka ndodhur tutje
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka rekomanduar suspendimin e përkohshëm të pesë zyrtarëve policorë, pas një incidenti që ndodhi sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku një qytetar humbi jetën.
Hetuesit e IPK-së, në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, kanë nisur veprimet hetimore lidhur me vdekjen e qytetarit dhe reagimin e zyrtarëve policorë në vendngjarje.
Si pjesë e hetimit janë përfshirë intervistimet e dëshmitarëve okularë dhe mbledhja e provave materiale, përfshirë incizimet nga kamerat e sigurisë dhe nga telefonat mobil.
Sipas IPK-së, të gjitha pamjet video do t’i nënshtrohen ekzaminimeve të detajuara për të ndriçuar rrethanat e incidentit dhe për të vlerësuar nëse reagimi policor ka qenë në përputhje me procedurat dhe standardet profesionale.
Zyrtarët për të cilët është rekomanduar masa e suspendimit përfshijnë një rreshter dhe katër policë patrullues. IPK sqaron se kjo masë është administrative dhe e përkohshme, dhe nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.
Hetimi po zhvillohet në mënyrë të pavarur, objektive dhe të gjithanshme, me synimin për të zbuluar çdo shkelje eventuale ligjore apo institucionale.
IPK ka garantuar opinionin publik se rasti po trajtohet me prioritet të lartë, dhe se çdo përgjegjësi eventuale do të adresohet bazuar në gjetjet e hetimit dhe në përputhje me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.