Zëri i gazetarëve të Kosovës në Evropë, kryetari i AGK-së bëhet pjesë e Bordit të Federatës Evropiane të Gazetarëve

Zëri i gazetarëve të Kosovës në Evropë, kryetari i AGK-së bëhet pjesë e Bordit të Federatës Evropiane të Gazetarëve

Aktuale June 03, 2025 - 14:49

Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, është zgjedhur sot anëtar i Bordit të Federatës Evropiane të Gazetarëve.

Kjo është hera e parë që një gazetar shqiptar i bashkohet kësaj federate.

Lajmin e bëri të ditur drejtoresha ekzekutive e AGK-së, Getoarbë Mulliqi.

“Për herë të parë një gazetar shqiptar dhe përfaqësues i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës i bashkohet Bordit të Federatës Evropiane të Gazetarëve, një moment historik për gazetarinë në Kosovë”, shkroi Mulliqi.

 

Image

Ajo ka shtuar se nga sot zëri i tij do të dëgjohet në emër të të gjithë punonjësve medial në mbarë Evropën.

Edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka theksuar se zgjedhja e Xhemajl Rexhës në Bordin Drejtues të EFJ-së përfaqëson një njohje të rëndësishme për punën e AGK-së në mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve dhe promovimin e lirisë së shtypit në Kosovë.

“Ky zhvillim forcon zërin e gazetarëve të Kosovës dhe rajonit, në arenën evropiane dhe hap rrugë për bashkëpunime të reja në mbrojtje të standardeve profesionale dhe etike në gazetari”, thuhet në njoftimin e AGK-së.

Kjo ishte hera e parë që EFJ mbajti një takim statutor në Hungari, duke mbledhur mbi 120 gazetarë dhe përfaqësues sindikalë nga 38 vende evropiane. Në këtë takim u zgjodhën 7 nga 11 kandidatët për anëtarë të Komitetit Drejtues për një mandat trevjeçar, si dhe u zgjodhën Presidentja Maja Server dhe Nënkryetari i ri i EFJ-së, Pablo Auiqel Garbarini (SNJ-CGT, Francë). Përpos Rexhës, anëtarët e tjerë të Bordit Drejtues të EFJ-së janë: Andrea Roth (DJV, Gjermani), Allan Boye Thulstrup (DJ, Danimarkë), Renske Heddema (NJV, Holandë), Antonis Repanas (ESIEMTH, Greqi), Aise Banu Tuna (TGS, Turqi) dhe Sergiy Tomilenko (NUJU, Ukrainë).

Bordi Drejtues i EFJ-së është organi më i lartë ekzekutiv i organizatës, që mbledhë rreth 300 mijë anëtarë nga i gjithë kontinenti.

Bordi e ka përgjegjësinë të sigurojë që veprimtaritë dhe projektet e federatës të jenë në përputhje me objektivat strategjike, të mbikëqyrë zbatimin e politikave, të miratojë buxhetet dhe të mbrojë interesat e anëtarëve në nivel evropian.

Anëtarët e këtij Bordi janë përgjegjës për vendimmarrje strategjike dhe për të siguruar që federata të funksionojë në mënyrë efikase dhe transparente.