A po sfidohet siguria në Kosovë?
Foto: Laura Hasani

A po sfidohet siguria në Kosovë?

Aktuale May 14, 2025 - 14:39

Agjencia e Inteligjencës së Serbisë – e njohur si BIA – dyshohet se ushtron ndikim përmes grupeve dhe individëve që shfaqin rezistencë ndaj institucioneve të Kosovës, shpërndajnë propagandë anti-Kosovë dhe nxisin ndarje etnike. Kjo nuk ndodh vetëm në veri, por edhe në rajone të tjera ku jeton komuniteti serb.

Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, thotë se shërbimi inteligjent i Serbisë dhe politikat e këtij vendi janë të interesuara për të gjetur një hallkë të dobët në sigurinë e vendit tonë.

“…shërbimi inteligjent i BIA-s dhe politikat e Serbisë janë të interesuara të gjejnë një hallk të dobët të sigurisë në vendin tonë. Përpjekja e BIA-s që të nxis ekstremizmin fetar ku niveli i vetëdijes së shumicës së atyre që bien pre e ekstremizmit dhe radikalizmit, është qëllimi të përhap ndërurrejtje fetare në Kosovë. Pra edhe në emër të fesë BIA Serbe dhe politikat e saj kanë tentuar ta bëjnë përçarjen përdorin radikalizmin ose keqpërdorimin e fesë islame në emër të patriotizmit…”, tha Islami.

Sipas njohësit të sigurisë, Drizan Shala, shërbimet inteligjente të Serbisë kanë për qëllim që Kosovën ta paraqesin vend transit të eksportuesve të terrorizmit.

“…sipas Policisë së Kosovës dhe AKI-së, tregohet qartazi involvimi e shërbimeve inteligjente të Serbisë brenda komunitetit islam në Kosovë për ta paraqitur Kosovën vend transit të eksportuesve të terrorizmit, por edhe duke i shfrytëzuar këto struktura për spiunazh. Ky është një hap strategjik i Serbisë e që tanimë e ka kuptuar dhe e ka të qartë se asnjë hap terrorizmi nuk ka pasur sukses…”, tha Shala.

Ekspozimet e Kosovës ndaj aktiviteteve të spiunazhit e posaçërisht në raste që lidhen me ekstremizmin e dhunshëm kanë sfiduar vendin, thotë njohësi i sigurisë Bedri Elezi, i cili këtë e cilëson problem serioz.

“… Kosova është e ekspozuar ndaj aktiviteteve të spiunazhit e posaçërisht që ndërlidhen me ekstremizmin e dhunshëm. Janë problem serioze dhe e kanë sfiduar Kosovën…”, tha Elezi.

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se nga viti 2019, është zbehur angazhimi i institucioneve të Kosovës në parandalimin e dukurive ekstremiste. Në QKSS thuhet se brezat e rinj po krijojnë një frymë jo tolerante, e cila në një të ardhme të afërt mund të përshkallëzohet në dhunë.

Siç raporton Policia e Kosovës, nga viti 2013, e deri më tani janë iniciuar hetime kundër më shumë se 500 personave të dyshuar për vepra penale të terrorizmit, ndërsa prej tyre janë arrestuar mbi 240 vetë. /RTV21