Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Pas fjalëve fyese, s’mund të pranojmë takim
Foto: Laura Hasani

Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Pas fjalëve fyese, s’mund të pranojmë takim

Aktuale April 08, 2025 - 18:40

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka bërë një reagim për letrën e pranuar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Ai ka thënë se pavarësisht se LDK-ja do të bëjë dialog e kompromise, nuk mund ta bëjë këtë që e quajti “kapërcim fatal” për shkak të ofendimeve që Kurti i ka bërë kësaj partie, shkruan Zeri.info.

“Sado që unë dhe LDK nuk udhëhiqemi nga inati; sado që ne besojmë në dialog, bashkëpunim e komunikim njerëzor e politik; një takim i tillë – madje edhe konsultativ – do të ishte kapërcim fatal i dinjitetit njerëzor dhe politik.

Mes ‘hajvanatit’, ‘mbytjes së LDK-së’, ‘bashkëpunëtorëve të Serbisë’, mes moçalit të madh të pështymave ndaj nesh – unë, LDK dhe votuesit tanë – nuk e gjejmë veten as për konsultim.

Sepse fjalët, si edhe bindjet, kanë peshë”, u shpreh i pari i LDK-së.

Ai madje ka thënë se me këtë përgjigje duhet ta kuptojnë edhe të tjerët se duhet pasur kujdes për fjalët, sepse fjalët kanë peshë.

“LDK e pret dhe e mbështet konstituimin e Kuvendit më 15 prill. Nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë pengesë. Prandaj, le ta konstituojmë Kuvendin e Republikës.

LDK njeh të drejtën legjitime, demokratike dhe kushtetuese të partisë së parë për të marrë mandatin për qeverisje. Dhe në rast të dështimit të saj, njeh të drejtën e secilit për të ndërtuar shumicën. Qëndrimet tona janë të qarta”, thuhet në reagimin e Abdixhikut. /Zëri