Formimi i qeverisë, Ismaili: Opsionet janë me partitë opozitare
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, në mbledhjen e sotme të thirrur nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, derisa ka folur për formimin e qeverisë së re dhe qëndrimit të PDK-së, ka thënë se opsionet janë me partitë opozitare.
Në adresimin për media pas përfundimit të mbledhjes, Ismaili ka thënë se ideja e vijave të kuqe nuk nënkupton vetëm koalicionin.

“Fushata jonë ka qenë fushatë që ka tentuar t i përafrojë qytetarët në bazë të një programi dhe vizioni për zhvillim të vendit. Ideja e vijave të kuqe nuk domethënë gjithnjë në kuptimi e koalicionit. Si opozitë kemi thënë sa i përket formimit të qeverisë, i takon partisë që ka dalë e para që ta ketë aftësinë, bashkëpunimin dhe komunikimin për ta formuar qeverinë. Nuk jemi në atë fazë, nuk kemi vënë kushte. Opsionet janë me partitë opozitare. Ne e kemi një pozicion jashtëzakonisht të qartë, por edhe një besim të madh që e kemi një kandidat që arrin ta formojë një shumicë nëse kemi një paaftësi të partisë se parë që ta formojë qeverinë”, ka thënë ai.
Ismaili tutje ka thënë se nuk i sheh pengesë zgjedhjet e kryetarit të Kuvendit në seancën konstituive, që pritet të mbahet më 15 prill.
“Po besoj që kryetari i Kuvendit është zgjedhur zakonisht, nuk shoh ndonjë pengesë. I takon partisë së parë, edhe për votimin e kryetarit të Kuvendit, edhe votimet e tjera. Ne as herën e kaluar nuk e kemi votuar kryetarin e Kuvendit dhe ai është zgjedhur. Nuk e shoh si problematikë. Nëse është problematikë e marrim një qëndrim tjetër”, është shprehur ai.