Haxhiu: Ose e bëjmë qeverinë ne, ose shkojmë në zgjedhje
Foto: Laura Hasani

Haxhiu: Ose e bëjmë qeverinë ne, ose shkojmë në zgjedhje

Aktuale April 08, 2025 - 13:22

Anëtarja e LVV-së Albulena Haxhiu ka thënë sot se qeverinë mund ta bëjë partia e saj, e cila ka dalë e para në zgjedhje, ose ndryshe do të shkohet në zgjedhje të reja.

“Qeverinë mund ta bëjë LVV-ja dhe, në anën tjetër, nuk mendoj që mundet opozita ta bëjë qeverinë si e vetme, duke qenë kështu o e bëjmë qeverinë ne, o do të shkojmë në zgjedhje. Në jemi të interesuar ta bëjmë dhe jam e bindur se qeveria do të bëhet”, tha Haxhiu pas takimit që kishin partitë politike me Glauk Konjufcën, raporton Zeri.info.

Në lidhje me ftesën për LDK-në, ajo tha se në këto ditë nuk përjashtohen veprime të tjera, duke përfshirë edhe një ftesë për partitë tjera.

“Në këtë drejtim veprimet tona kanë qenë publike dhe transparente, prandaj deri në seancën konstituive janë edhe 7 ditë, nuk e përjashtoj mundësinë që të ketë veprime të tjera për takime, prandaj në këtë rast, kryetari Kurti ka ftuar LDK-në për nesër ose pasnesër, qëllimi është konstituimi i Kuvendit, duke pasur parasysh që duhet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët”, tha Haxhiu.

Sipas saj, ajo çka dihet tani është emri i kryeministrit, nuk dihen emrat e personave të tjerë për pozicione tjera, ajo çka dihet është se kryeministri i ardhëm do të jetë Albin Kurti dhe qeveria e Kosovës shumë shpejt do të votohet. /Zëri