ZRRE-ja reagon pas aksionit simbolik: Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e qytetarëve për tarifat

ZRRE-ja reagon pas aksionit simbolik: Jemi të vetëdijshëm për shqetësimet e qytetarëve për tarifat

Aktuale April 02, 2025 - 15:14

Sot aktivistët e iniciativës “Asnji cent më shumë” kanë zhvilluar një aksion te ZRRE-ja, ku i kanë bllokuar zyrat e këtij institucioni.

Kjo formë e protestës u zhvillua si shprehje e pakënaqësisë ndaj rritjes së tarifave të rrymës prej 15 për qind.

Pas kësaj ngjarjeje ka reaguar edhe Zyra e Rregullatorit për Energji.

Në njoftim thuhet se ZRRE-ja është e vetëdijshme për shqetësimet e qytetarëve lidhur me procesin e tanishëm tarifor, të shprehura sot përmes protestës pranë zyrave të ZRRE-së.

“ZRRE-ja respekton të drejtën e qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore, si një e drejtë e garantuar nga ligjet e Republikës së Kosovës”, thuhet në reagim.

Tutje, në këtë reagim thuhet se Zyra e Rregullatorit për Energji, në vazhdimësi angazhohet për një proces të hapur, të drejtë dhe transparent në shqyrtimin e çdo komenti nga qytetarët dhe palët e interesuara, duke siguruar që çdo vendim të merret në përputhje me legjislacionin ne fuqi.

“Andaj, kërkojmë mirëkuptimin e qytetarëve për të mos penguar ushtrimin e detyrave të ZRRE-së, konform mandatit te saj”, përfundon reagimi.