Me kërkesë të mbrojtjes, ndërpritet seanca ndaj Tajkoviqit - i akuzuar për krime lufte
Foto: Laura Hasani

Me kërkesë të mbrojtjes, ndërpritet seanca ndaj Tajkoviqit - i akuzuar për krime lufte

Aktuale March 27, 2025 - 14:49

Me kërkesë të mbrojtësit të të akuzuarit Sladan Trajkoviq, avokatit Dejan Vasiq, është ndërprerë seanca e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin ku Trajkoviqi akuzohet për krime lufte.

Avokati Vasiq kundërshtoi disponueshmërinë e disa provave që lidhen me dëshminë e dëshmitarit Sylejman Mustafa. Tha se ky dëshmitar në një çështje tjetër të ndarë, e kishte përmendur të akuzuarin Trajkoviq ndryshe nga konteksti i këtij procesi gjyqësor.

Vasiqi në kontekstin e shqyrtimit të dëshmitarit të propozuar, kërkoi sigurimin e provave që sipas tij përbëhen nga tri dokumente.

“Pa procesverbalin e identifikimit dhe të gjitha deklaratat që dëshmitari ka dhënë në raste dhe procedura të ndryshme, është e pamundur të paraqitet një mbrojtje e duhur. Prandaj, kërkoj shtyrjen e seancës së sotme”, tha avokati Vasiq.

Prokurorja Florie Salihu-Shamolli hodhi poshtë pretendimet e mbrojtjes, duke deklaruar se dokumentet e kërkuara tashmë i janë dorëzuar gjykatës dhe avokatëve.

Lidhur me pretendimet e mbrojtjes se procesverbali i identifikimit dhe deklarata e dëshmitarit Mustafa që lidhet me çështjen e Trajkoviqit nuk janë dorëzuar, trupi gjykues konstatoi se këto dokumente i janë dërguar mbrojtjes përmes adresës elektronike.

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Ngadhnjim Arrni, urdhëroi Prokurorinë të hetojë ekzistencën e një dokumenti zyrtar në lidhje me një nga deklaratat e mëparshme të dëshmitarit Mustafa, ekzistenca e të cilit u kontestua gjatë seancës së sotme.

Në këtë seancë, Prokuroria propozoi dëgjimin e nënës së dëshmitarit B.U., i cili është marrë në pyetje gjatë seancave të mëparshme, me arsyetimin se është dëshmitare direkte e ngjarjeve kritike.

Për këtë propozim, avokati Vasiq tha se Prokuroria përmes kësaj pretendon të vërtetojë rrethana të mundshme që dëshmitari B.U. më parë nuk i kishte përmendur drejtpërdrejt kundër të akuzuarit Trajokivq.

Avokati shtoi se mbetet pranë propozimit për dëgjimin e 13 dëshmitarëve të mbrojtjes.

Lidhur me çështjet e ngritura për dëgjimin e të gjithë dëshmitarëve të propozuar, Gjykata do të marrë vendim gjatë vazhdimit të procesit.

Seanca e planifikuar për nesër nuk do të mbahet, pasi është konstatuar se është e pamundur të sigurohen të gjitha çështjet e kërkuara nga mbrojtja në lidhje me dëgjimin e dëshmitarit Sylejman Mustafa.

Ndryshe, në këtë seancë mungoi dëshmitarja Afije Selimi për arsye shëndetësore.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 12 korrik 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Sladan Trajkoviq i cili akuzohet për krime lufte kundër popullatës civile.

Sipas aktakuzës, Trajkoviqi po akuzohet se gjatë kohës së luftës në Kosovë, në periudhën kohore 1998-1999 në fshatin Reznik, Komuna e Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth kësaj komune, individualisht dhe në bashkëkryerje me personat tjerë, ka kontribuuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretime, arrestime, tortura, trajtim në mënyrë ç‘njerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin dhe depërtimin e mijërave civilëve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile shqiptare që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt.

Me këto veprime, Trajkoviqi akuzohet se në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të panjohur të njësisë së Policisë Serbe dhe personave tjerë të armatosur dhe të uniformuar ka kryer veprën penale “Krimet e luftës kundër popullatës civile”, e paraparë dhe e dënueshme sipas Nenit 142 dhe 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë aktualisht i inkriminuar si krime kundër njerëzimit nga Neni 143, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4, 1.6 dhe 1.7 lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /BetimipërDrejtësi