Prokuroria konfirmon nisjen e hetimeve në Ministrinë e Bujqësisë
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar se me qëllim të verifikimit të pretendimeve ose dyshimeve të ngritura në opinionin publik për veprimet e disa zyrtarëve publik të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, lidhur me renovimin e objektit që e shfrytëzonte AAK-ja, tani nën menaxhimin e Ministrisë ka autorizuar Policinë e Kosovës, respektivisht Drejtorinë e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) në Prishtinë, që të kryejë veprime hetimore në mbledhjen dhe sigurimin e provave për sqarimin e rrethanave të çështjes.
“Zyrtarët publikë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dyshohen se me veprimet e tyre kanë kryer veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës zyrtare’, nga Neni 414, të KPRK-së; ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’, nga Neni 415, të KPRK-së dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’, nga Neni 390, të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. /Zëri