VOA dhe REL-i drejt shuarjes?

VOA dhe REL-i drejt shuarjes?

Aktuale March 16, 2025 - 16:46

Presidenti Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv që ka ndërprerë financimin për Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë, dy media të financuara nga qeveria amerikane. Si pasojë, mbi 1,300 punonjës të Zërit të Amerikës u vendosën në pushim administrativ dhe transmetimet u ndaluan, duke përfshirë dhe ato në gjuhën shqipe.

Zëri i Amerikës është zhytur në heshtje...Ditari i fundit u emetua të premtën me 14 mars.

Më 15 mars, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një urdhër ekzekutiv, duke reduktuar operacionet e organizatave mediatike të financuara nga SHBA-të, përfshirë Zërin e Amerikës dhe Radion Evropa e Lirë.

Si rezultat, që nga e shtuna, mbi 1,300 punonjës të Zërit të Amerikës u vendosën në të ashtuquajturin pushim administrativ, duke ndërprerë krejtësisht transmetimet e këtij mediumi.

Presidenti amerikan Donald Trump haptazi është pozicionuar kundër mediave që e kritikojnë punën e tij.

“New York Times do të shkruajë çfarëdo që thonë këta njerëz, dhe Washington Post, dhe Wall Street Journal, dhe MSDNC, dhe lajmet e rreme siç janë CNN, dhe ABC, CBS dhe NBC, dhe ata do të shkruajnë çfarëdo që t’iu thuhet. Dhe çfarë bëjnë ata? Gjykojnë Trumpin. E tëra çfarë ju duhet të bëni është të jeni vërtet të ashpër me Trumpin dhe ta sulmoni atë. Është krejtësisht ilegale ajo çfarë bëjnë”, deklaroi Trump.

Përderisa mediat e tjera që i targeton Trump financohen në mënyrë të pavarur, Zëri i Amerikës dhe Evropa e Lirë financohen drejtpërsëdrejti nga qeveria amerikane.

Zëri i Amerikës është transmetuesi më i madh dhe më i vjetër ndërkombëtar i SHBA-së. I themeluar në vitin 1942, ky medium prodhon përmbajtje në 48 gjuhë, me një audiencë prej 326 milionë ndjekësish në javë.

Në të njëjtën ditë është ndërprerë plotësisht financimi për Radion Evropa e Lirë.
Radio Evropa e Lirë, e themeluar në vitin 1949, ka misionin të promovojë vlerat demokratike në vendet ku shtypi i lirë është i kërcënuar. Transmeton në 23 shtete, duke arritur një audiencë prej 47 milionësh.