PE-ja zyrë në Tiranë, Rama: Moment kyç për pozicionin ndërkombëtar

PE-ja zyrë në Tiranë, Rama: Moment kyç për pozicionin ndërkombëtar

Aktuale March 11, 2025 - 10:30

Hapja e Zyrës së Parlamentit Evropian në Shqipëri për kryeministrin Edi Rama përkthehet në një vlerësim të jashtëzakonshëm që i bëhet vendit tonë dhe një moment kyç për pozicionin ndërkombëtar.

Sipas Ramës, hapja e kësaj zyre përcakton Shqipërinë si një pikë referimi jashtë perimetrit të BE-së.

“Është në krenarinë tonë që të bëhemi vend mikpritësi zyrës së PE në Tiranë, e cila do të shërbejë si një pikë kyçe kontakti mes PE dhe parlamenteve kombëtare, shoqërisë civile dhe partnerëve lokalë në Ballkanin Perëndimor. Parlamenti Evropian me hapjen e kësaj zyrë në Shqipëri konfirmon një strategji më të gjerë të BE-së dhe nga ana tjetër përcakton pa diskutim Shqipërinë si një pikë referimi jashtë perimetri të BE-së dhe si vendi që së shpejti do jetë anëtar i BE-së. PE-ja ka tre zyra aktualisht dhe sot Shqipëria dhe Tirana bëhen vendi mikpritës i zyrës së re të PE-së. Një zyrë tjetër, Parlamenti Evropian me gjasë do e hapë në Moldavi për të mbuluar pjesën në kufi me Rusinë. Ky është një vlerësim i jashtëzakonshëm, moment tjetër shumë i mirë për pozicionin tonë ndërkombëtar”, deklaroi Rama.

Ky i fundit bëri me dije më tej se kanë nisur përgatitjet për samitin e liderëve evropianë që do të mbahet në Shqipëri më 16 maj. Një ditë para këtij samiti, sqaroi Rama, do të vijnë në Shqipëri liderët e Këshillit Evropian, të cilët do të organizohen në një darkë së bashku me liderët e Ballkanit Perëndimor.

Rusia, theksoi kreu i Qeverisë shqiptare nuk do të jetë pjesë e samitit të 16 majit.

“Kemi filluar përgatitjet për samitin e madh të gjithë komunitetit politiko evropian në Shqipëri më 16 maj dhe përpara samitit BE, KE, liderët e BE-së kanë vendosur të vijnë në datën 15 maj për një darkë me mua dhe liderët e tjerë të rajonit tonë të Ballkanit Perëndimor. Më 15 do mirëpresim liderët e Këshillit Evropian, BE-së dhe më 16 do të vijnë liderët e gjithë kontinentit me përjashtim të Rusisë”, vijoi ai.

Ndërsa parashtroi dy lajmet e mira për vendin tonë, kryeministri theksoi se Shqipëria është më pranë se kurrë Bashkimit Evropian. Në këtë kuadër, ai u bëri thirrje qytetarëve që më 11 maj të mos humbasin asnjë sekondë në procesin e negociatave në Bashkimin Evropian.

Rama nënvizoi se “është hera e parë në historinë e këtij procesi kur fjalët janë të përputhura me vullnetin pozitiv konkret për përfshirjen përfundimtare të Shqipërisë në gjirin e BE-së”.

Parlamenti Evropian njoftoi një ditë më parë se do të hapë një zyrë të re në Shqipëri, duke theksuar angazhimin e tij të vazhdueshëm për forcimin e lidhjeve me Ballkanin Perëndimor.

Aktualisht, Parlamenti ka tri zyra operative: në Nju-Jork, për marrëdhëniet me Kombet e Bashkuara; në Xhakartë, për marrëdhëniet me Shoqatën e Kombeve të Azisë Juglindore; dhe në Addis Abeba, për marrëdhëniet me Bashkimin Afrikan.

Lëvizja për të hapur dy zyra shtesë (në Shqipëri dhe Moldavi) vjen pas një vendimi të mëparshëm të Byrosë së Parlamentit për të krijuar zyra në Kiev, Ukrainë dhe në Panama, për t'u marrë me marrëdhëniet me Amerikën Latine dhe Karaibe. /Rtsh