Plani i Serbisë për ta akuzuar UÇK-në për trafikim organesh, harta të rrezikshme

Plani i Serbisë për ta akuzuar UÇK-në për trafikim organesh, harta të rrezikshme

Aktuale March 10, 2025 - 21:03

Kjo hartë që kinse përshkruan rrugën e trafikimit të organeve njerëzore nga spitali ushtarak i UÇK-së në Mollopolc të Shtimes e deri në Shqipëri, është pjesë aktakuzës për spiunazh, ndaj Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit.

Specifikisht Bedri Shabani, akuzohet se është autor i kësaj harte.

Në bashkëpunim me BIA-n e Serbisë, qëllimi dyshohet se ishte të shpiket një shtëpi e re e verdhë, në të cilën bëhej kinse trafikim ose transplantim i organeve njerëzore.

Një shtëpi imagjinare dhe e rrejshme si ajo në Burrel të Shqipërisë, pjesë e raportit të Dick Martyt.

Këto informacione dhe plane nuk e kanë befasuar aspak, ish-komandantin e UÇK-së në Zonën e Nerodimes, Shukri Buja.

“Kjo nuk më habit as më herët e as tani… janë tepër me vonesë institucionet, për 15 vjet, këto pretendimet e Serbisë për trafikime të organeve, janë pretendime që kanë qenë qysh më 2010….”, shtoi Buja.

Si e komenton hartën ku fabrikohet rruga e trafikimit të organeve nga Kosova në Shqipëri?

Buja tha se “Është një imagjinatë…Të krijosh harta të tilla duhet të jesh njeri që di të imagjinosh diçka të tillë, jashtë realitetit. Ne e kemi pasur spitalin ushtarak, e kishim vetëm shërbimin spitaloj nga mjekët…”

Prap nga Serbia propagandë për trafikim organesh njerëzore, cili është realiteti?

“Po në atë kohë nuk kemi mundur me mendu për një formë të tille që imagjinohet apo që imagjinata e Shërbimit serb informativ për transplantim të organeve, sepse ne kemi pasur vështirësi të këtyre njerëzve”, tha Buja.

A jeni intervistuar ju nga Gjykata Speciale për spitalin ushtarak në Monopollc të Shtimes?

“Jo sepse unë jam mbrojtur në heshtje, por kanë hetuar bukur gjatë, nuk e di për çfarë kanë hetuar, por për të gjithë luftën çlirimtare dhe në fund kanë rënë ato pretendime, kanë përfunduar ato hetime dhe nuk do të ndiqem për periudhën e luftës”, tha Buja.

Ish-komandanti i UÇK-së tregon se ofensiva serbe i detyroi ta zhvendosin spitalin edhe në dy vende të tjera, në fund në shpellën e Topillës. Në të gjitha këto hapësira sipas tij pos plagëve të lirisë nuk kishte as kushte e as synim që të kryhen krime të cilat Serbia dhe BIA bashkë me shërbyesit e saj kanë tentuar dhe vazhdojnë të provojnë t’ia montojnë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.