
Kurti vizitoi punimet në Stadiumin e Atletikës në Novosellë
Qëndrimi në Kamenicë i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti, vijoi me vizitën në punimet që po zhvillohen për ndërtimin e Stadiumit të Atletikës në Novosellë. Bashkë me Kryetarin e Komunës, Kadri Rahimaj, panë nga afër ritmin e punimeve gjersa gurthemeli i këtij projekti u vendos në nëntor të vitit të kaluar.
Ky stadium vjen përmes investimit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vlerën prej 3,5 milionë euro dhe është stadiumi i parë i këtij lloji në vendin tonë.
Ai përfshin një sipërfaqe ndërtimore prej 870 metrash katrorë, kapacitet për mbi 1000 ulëse, 8 shtigje për vrapim prej 400 metrash dhe shtegun ndihmës prej 100 metrash jashtë fushës së atletikës e gjithashtu në përbërjen e tij ai përfshinë edhe hapësirat për parkingje prej 2908 metrash katrorë.
Punimet për realizimin e këtij stadiumi të standardeve ndërkombëtare parashihen që të përfundojnë për 36 muaj.