A po bëhet Kosova terren spiunazhi?

A po bëhet Kosova terren spiunazhi?

Aktuale March 10, 2025 - 08:02

Rastet e fundit të dyshimta për spiunazh, vlerësohen se duhet të jenë si alarm për institucionet kosovare. Në mënyrë të parandalimit të ndonjë sulmi eventual, kërkohen investime në institucionet përkatëse.

Pak ditë pasi ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit u ngrit aktakuzë për spiunazh, në radarët e Prokurorisë Speciale, doli të jetë edhe Jelena Gjukanoviq.

Si punonjëse e OSBE-së, ajo dyshohet se shërbeu si informatore e BIA-s serbe.

Për këto dyshime ndaj saj u kryen hetime disa mujore, derisa u arrestua e u la në paraburgim për një muaj.

Rastet e tilla të dyshimeve të spiunazhit, vlerësohet se çojnë sinjal tek institucionet kosovare për kujdes.

“Është indikatorë që Republika e Kosovës duhet të jetë jashtëzakonisht e kujdesshme të investojë në jo vetëm në burimet e resurseve njerëzore në aspektin profesional, por edhe në aspektin e teknologjisë, e mjeteve teknike të cilat i përdorin këto institucione për të ruajtur sigurinë e vendit apo për të parandaluar çfarëdo lloj sulmi”, shprehet për Teve1 Anton Nrecaj nga institute CLARD.

Kujdesi konsiderohet se duhet të orientohet më shumë tek vendet armiqësore.

“Kjo është një dëshmi e fortë se në Kosovë, ka aktivitete të spiunazhit, posaçërisht të vendeve armike, siç janë Serbi e Rusia, të cilat angazhojnë qytetarë që kanë mundësi të krijimit të qasjeve për informacione të rëndësisë së veçantë, të cilat do të ishin me interes për ndonjë shërbim të caktuar sekret”, vlerëson Bedri Elezi, njohës i sigurisë.

Sipas ligjit në fuqi, për vepra të spiunazhit dënimi është nga 3 deri në 12 vjet burgim.