
Ndikimi ndërkombëtar në formimin e institucioneve
Kur jemi tek ndikimi i bashkësisë ndërkombëtare në themelimin e institucioneve të reja, njohës të fushës kanë mendime të ndryshme. Disa prej tyre vlerësojnë se ndikimi i faktorit ndërkombëtarë nuk ka fuqinë që ka pasur vite më parë, përderisa të tjerë vlerësojnë se formimi i Qeverisë së re jashtë linjës së rekomandimeve nga ndërkombëtarët nuk do të jetë e suksesshme.
Përderisa përfundimi i numërimit të votave pasqyroi se asnjë nga partitë politike nuk mund ta formojë Qeverinë e vetme, faktori ndërkombëtar dëshiron që institucionet e reja të Kosovës të konstituohen pa vonesa. Një gjë të tillë e tha i dërguari i posaçëm i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, por që sipas tij i takon vetëm Kosovës që të vendosë se si do të formohet Qeveria e re.
Presion të vazhdueshëm për krijimin e një qeverie do të ketë e thotë ish diplomati Blerim Canaj, mirëpo sipas tij, ky presion nuk do të na dërgoj në një zgjidhje.
“Varet, ato e tregojnë vetëm interesimin e tyre, mirëpo krijimi i institucioneve varet shumë edhe nga gatishmëria e partive opozitare dhe numrat. Në fund të fundit gjithmonë numrat luajnë një rol, e kur është çështja e numrave atëhëre nuk e di se sa do të mund të ndikoj pastaj bashkësia ndërkombëtare. Natyrisht që ajo bën thirrie për shkak se janë disa procese të cilat duhet përfunduar. Kemi disa zotime dhe marrëveshje të cilat janë në interes edhe të bashkësisë ndërkombëtare në kuptimin e uljes së tensioneve për shumë çështje dhe në kuptimin e asaj që pastaj bashkësia ndërkombëtare nuk ka nevojë të menaxhoj shumë kriza…kur flasim për SHBA-në nëqoftëse edhe nga ata ka një presion atëhere mendoj që mund të arrihet deri diku”, tha Canaj për rtv21.
Ndërsa, analisti politik Shemsi Jashari, thotë se ndikimi do të jetë i dukshëm, përderisa vlerëson se formimi i një qeverie jashtë linjës së rekomandimeve të bashkësisë ndërkombëtare, nuk do të ketë sukses.
“Prej krejt asaj cka mund ti konsiderojmë dhe i njohim si bashkësi ndërkombëtare dmth ndikimin në themelimin e institucioneve të reja pas zgjedhjeve kush mund ta ketë mund të jenë SHBA-të, pra ndikimi i tyre. E çkado që del jashtë linjës e rekomandimeve të tyre për mos me thanë kërkesave të tyre mendoj që nuk do të ketë sukses e edhe nëse arrinë që të bëhet një qeveri jashtë rekomandimeve ose koordinimit me ta nuk do ketë jetëgjatësi edhe do të përballet me shumë sfida që do tia pamundësojnë edhe vazhdimin e mandatit, po ma e rëndesishmja është që Kosova mund të ketë pasoja nga këto veprime. Është shumë e rëndësishme që të implementohet vullneti i qytetarëve dhe të provojnë ta bëjnë qeverinë”, tha Jashari.
Ndikimi i faktorit ndërkombëtar në themelimin e institucioneve nuk është si përpara, vlerëson analisti politik Afrim Kasolli. Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare nuk është unike siç ka qenë.
“Në të kaluarën nëse e marrim parasysh padyshim se ka pasë shumë ndikim, por sot jemi në një situatë tjetër edhe ndërkombëtare që bashkimi evropian është në ankth në raport me vetvete për shkak të margjinalizimit që po i bën SHBA me Rusinë për çështjen e Ukrainës. Bashkësia ndërkombetare sot nuk është unike sic ka qenë në të kaluarën kur SHBA dhe BE së bashku kishin qëndrim unik për krijimin e institucioneve”, tha Kasolli.
Njohës të fushës vlerësojnë se Kosova e ka me patjetër formimin sa më parë të institucioneve të reja, përderisa Kushtetuta e Republikës së Kosovës thotë se 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zyrtar zgjedhor nga KQZ-ja, presidentja Osmani duhet ta thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Konstituimi përfundon me zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të tij.