Qeveria Kurti ndan mbi 6.7 milionë euro për t’ia paguar Pacollit për Grandin-Thesari autorizohet për ta kryer transferin
Foto: Laura Hasani

Qeveria Kurti ndan mbi 6.7 milionë euro për t’ia paguar Pacollit për Grandin-Thesari autorizohet për ta kryer transferin

Aktuale March 08, 2025 - 22:24

Zyra e Kryeministrit, përmes një komunikate për media ka bërë të ditur se Qeveria e Kosovës ka mbajtur mbledhje elektronike, në të cilën ka marrë disa vendime, përfshirë këtu edhe ndarjen e mjeteve financiare për përmbushjen e obligimit të arbitrazhit ndaj kompanisë së Behgjet Pacollit, ‘‘Mabco Contructions’’, në atë që njihet si rasti i ‘‘Grandit’’.

Në vendim bëhet e ditur se shuma të cilën Qeveria ka qenë e detyruar për ta ndarë për kompaninë  e Pacollit është 6,740,000.00 Euro.

Tutje, aty tregohet edhe se një pjesë e tyre, më saktë 5,311,560.05 euro ndahen në emër të dëmshpërblimit dhe kamatës, një pjesë prej 367,944.00 euro dhe 33,073.50 CHF në emër të kostos së përfaqësimit, dhe pjesa e fundit prej 1,104,312.20 USD ndahet në emër të kostos së arbitrazhit.

Më tej, në njoftim shtohet se të hollat do të merren nga Ministria e Financave Punës dhe Transfereve, e cila, siç edhe bëhet e ditur obligohet që të zbatojë vendimin.

‘‘Mjetet nga pika 2. të këtij vendimi transferohen në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve, me kod 201, në nën-programin “Thesari” me kod 11200, në kategorinë e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”’’, thuhet në vendim mes tjerash.

Rreth kësaj, dy muaj më parë kishte reaguar vetë Pacolli, i cili atëherë kishte bërë të ditur se kompania e tij **Mabco Construction Int.** kishte fituar arbitrazhin ndërkombëtar. /express

Image