Kombinimet eventuale për formimin e qeverisë së re të Kosovës
Foto: Laura Hasani

Kombinimet eventuale për formimin e qeverisë së re të Kosovës

Aktuale March 07, 2025 - 07:58

Të gjitha votat e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit në Kosovë më në fund u numëruan. Ndonëse rezultati ka mbetur të certifikohet, pasqyra tani është më e qartë se kush i ka gjasat reale për ta formuar qeverinë e re.

Në një anketë të publikuar ditë më parë në ueb-faqen tonë, i kemi pyetur lexuesit e Radios Evropa e Lirë se kush, sipas parashikimeve të tyre, do ta formojë Qeverinë e re të Kosovës.

Mes tri opsionesh – Lëvizja Vetëvendosje (LVV) me minoritetet, Lëvizja Vetëvendosje me një parti opozitare, apo partitë opozitare – 60 për qind e pjesëmarrësve kanë votuar për të parin.

Anketa si kjo, diskutime e kalkulime na kanë parë sytë që tri javë, gjithandej.

LVV-ja, që aktualisht është në pushtet dhe ka fituar më së shumti vota në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, është zotuar se do ta formojë sërish qeverinë.

Udhëheqësi i saj, njëherësh kryeministër i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se po pret certifikimin e rezultateve, para se anëtarët e partisë së tij të ulen dhe të shikojnë rrugën përpara:

“Nuk ka ndryshuar situata që ne të kemi qëndrime tjera sa u përket kundërshtarëve tanë. Është bërë luftë hibride kundër Qeverisë sonë dhe LVV-së, dhe kemi dalë fitimtarë, dhe fitimtari duhet dhe do ta formojë qeverinë e re”.

Si mund ta bëjë LVV-ja qeverinë e re?

Menjëherë pas publikimit të rezultateve preliminare, Kurti ka hedhur poshtë mundësinë e ndonjë koalicioni me partitë e mëdha shqiptare që janë në opozitë – Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Edhe këto tri parti opozitare kanë thënë se nuk do të bashkëpunojnë me Kurtin.

Me ligjet e Kosovës, brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve, presidentja e vendit duhet të thërrasë mbledhjen konstituive të Kuvendit të Kosovës. Nëse zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët, atëherë Vjosa Osmani duhet të kërkojë nga partia fituese, LVV-ja në këtë rast, që të propozojë mandatarin për formimin e qeverisë.

Por, kjo parti duket se do t’i ketë 48 vende deputetësh, në Kuvendin e përbërë prej 120 sosh.

Për ta formuar Qeverinë, një mandatari i duhen të paktën 61 vota.

Analistët politikë besojnë se Kurti llogarit në skenarin e formimit të Qeverisë me minoritetet joserbe, që i kanë 10 vende, si dhe në lëvizjet që mund t’i bëjnë disa deputetë të opozitës aktuale, “për pozita ministrore”.

Udhëheqësi i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, që është në koalicion me
AAK-në, ka thënë hapur se nuk ka “vija të kuqe” përballë koalicioneve të mundshme, qoftë me LVV-në, qoftë me partitë që aktualisht janë në opozitë.

Por, për politologun Dritëro Arifi, Kosovës nuk i duhet një qeveri “e brishtë” në situatën aktuale gjeopolitike në botë.

“Një parti e vetme, si Vetëvendosje, me një koalicion kaq të vogël dhe të brishtë, do ta ketë të pamundur që t’i realizojë kërkesat që mund të vijnë nga partnerët ndërkombëtarë”, thotë Arifi për Radion Evropa e Lirë.

A mund të bëhet një qeveri PDK-LDK-AAK?

I pyetur për kërkesat eventuale, Arifi vlerëson se mund të mos bëhet më fjalë vetëm për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe:

“Çka nëse kërkohet diçka më shumë, sa jemi të gatshëm të lëvizim në këto ndryshime të mëdha globale? Mund të kërkohen shumë gjëra, nuk po aludojmë shumë, por po e marrim vetëm një: çfarë nëse kërkohet ndryshim i kufirit? Çfarë jemi të gatshëm ta bëjmë dhe si do ta bëjmë? Ky është mëkati më i madh, që një shoqëri e tërë nuk ka përgjigje”.

Në rast se partia fituese nuk arrin ta formojë Qeverinë brenda dy javësh, atëherë presidentja detyrohet të mandatojë atë parti ose grup që e bind se mund ta formojë atë.

Për Arifin, edhe nëse kjo nënkupton koalicion mes tri partive të mëdha shqiptare, PDK-LDK-AAK, pamja është sërish e zbehtë, për faktin se nuk garantohet stabilitet.

Cili kombinim do të mund të funksiononte?

Arifi mendon se një koalicion mes LVV-së dhe PDK-së do të ishte më i miri për Kosovën, sepse ashtu, sipas tij, do të mundë të tejkalohej edhe kriza për pozitën e presidentit, pasi Osmanit t’i skadojë mandati vitin tjetër.

I pyetur se sa ka mundësi të funksionojë një koalicion i tillë, se sa janë afër në ideologji këto parti, Arifi beson se asnjëri subjekt politik në Kosovë nuk ka dallime në këtë drejtim, dhe se që të gjithë e kanë thuajse të njëjtin koncept:

“Nëse i shikoni vetëm debatet dhe fjalimet, gjithçka në Kosovë sillet rreth sektorit publik, rritjes së pagave. Botëkuptimi i politikëbërjes është shumë i ngushtë. Nuk kanë dallim të madh”.

Megjithatë, sipas Arifit, një koalicion LVV-PDK do të mund të funksiononte, nëse partitë fokusohen në 6-7 prioritete, në mënyrë që rezultati të jetë “pozitiv për shoqërinë dhe për shtetin”.

Rëndësinë e stabilitetit në Kosovë e ka përmendur edhe faktori ndërkombëtar.

Më së voni, sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, ka thënë që Kosova duhet të ketë një qeveri stabile, teksa ka pohuar se aleanca ushtarake do të punojë me këdo që do ta udhëheqë Kosovën.