
Osmani takon bacën Rifat: Familja Jashari edhe sot mbetet udhërrëfyese për rrugën tonë përpara
Presidentja e vendit Vjosa Osmani, së bashku me stafin e saj, pas homazheve në varrezat e Jasharëve, kanë takuar në Kullën e Jasharëve bacën Rifat.
Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Osmani ka shkruar se nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë.
Sipas Osmanit, familja Jashari edhe sot mbetet udhërrëfyese e Kosovës për rrugën përpara, shkruan Zeri.info.
“Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha, ata gjetën forcën për të ecur përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi”, ka shkruar Osmani ndër të tjera.
Postimi i plotë i Osmanit, pa ndërhyrje:
Sot si çdoherë, në homazhe në kompleksin memorial në Prekaz dhe në vizitë në kullën e Jasharëve te baca Rifat!
Nga plumbi i parë e deri te qëndresa heroike e marsit 1998, komandanti legjendar Adem Jashari dhe familja Jashari nuk u thyen, nuk u zmbrapsën, por përqafuan pavdekësinë. Ata edhe sot mbeten dritë udhërrëfyese për rrugën tonë përpara.
Në kohët më të errëta, ata ndezën dritën e shpresës. Në sfidat më të mëdha, ata gjetën forcën për të ecur përpara. Në momentet kur liria dhe e ardhmja e Kosovës u vunë në pikëpyetje, ata u bënë përgjigjja, u bënë mburoja dhe zemra e këtij vendi.
Lavdi Familjes Jashari!
Lavdi të gjithë heronjve të UÇK-së!. /Zëri