Priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KQZ-ja i shpall pas afatit 48-orësh për ankesa

Priten rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, KQZ-ja i shpall pas afatit 48-orësh për ankesa

Aktuale March 06, 2025 - 08:26

Procesi i numërimit të të gjitha votave për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit ka përfunduar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR), mbrëmjen e së mërkurës, pas një vonese mbi dy orësh.

Shkaku i kësaj vonese ishte një kuti që nuk mund të numërohej për shkak të problemeve në sistem.

Të mërkurën u numëruan votat me kusht dhe ato të personave me nevoja të veçanta, duke e çuar numrin total të fletëvotimeve të numëruara në mbi 15.500.

Sipas zëdhënësit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, rezultatet përfundimtare nuk do të shpallen deri të paktën pas kalimit të afatit 48-orësh për ankesa, i cili ka filluar të mërkurën në orën 21:00.

Ky afat mundëson që të paraqiten ankesat në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) lidhur me administrimin e numërimit.

Gjithashtu, Elezi njoftoi se KQZ-ja do të realizojë rinumërimin e fletëvotimeve për një subjekt politik në komunën e Vushtrrisë, pas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Mitrovicës.

Pritet që pas përfundimit të këtij afati dhe shqyrtimit të mundshëm të ankesave, KQZ-ja do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Sipas rezultateve ende preliminare të zgjedhjeve të 09.02.2025 Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 40.9%, ose 345,760 vota, e ndjekur nga PDK-ja me 22.04%, ose 186,302 vota, LDK-ja 17.64%, ose 149,095 vota, koalicioni AAK-Nisma Socialdemokrate 7.46%, ose 63,035 vota.

Këto rezultate nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta.