Seancë solemne për Epopenë e UÇK-së në veri

Seancë solemne për Epopenë e UÇK-së në veri

Aktuale March 05, 2025 - 20:32

Flamuri i Kosovës dhe ai i Shqipërisë u vendosën të parët.

E thirrjes ju përgjigjën të gjithë anëtarët e kuvendit komunal të Mitrovicës së Veriut nga të gjitha komunitetet.

Entuziazmi ishte i madh, meqë për herë të parë në veri pas 25 vitesh po mbahet seancë solemne për nder të përvjetorit të 27-të të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), ku përkujtohet heroizmi dhe rënia e familjes Jashari.

Kryetari i komunës, Erden Atiq tha se çdo vit do të kujtohen datat e rëndësishme të Republikës së Kosovës, që janë kthesë e lirisë së vendit.

“Ndihem i privilegjuar dhe krenar që për herë të parë një Seancë Solemne për 5-6 dhe 7 mars për Epopenë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është ndjenjë shumë e mirë në bashkëpunim edhe kryesuesin edhe me delegatët. Çdo përvjetor për aq sa ne do jemi këtu qoftë si pjesë e pozitës apo opozitës do ta mbajmë këtë seancë në çdo përvjetor”, u shpreh Atiq.

Kryesuesi i Kuvendit Komunal, Nexhat Ugljanin që vjen nga radhët e komunitetit Boshnjak, theksoi se janë krenarë për mbajtjen e kësaj seance.

“Është për të parën herë që pas 25 vitesh po festojmë këtë ditë, siq e dini edhe Mitrovica e Veriut ka dhanë bijtë dhe bijat e veta për çlirimin e Republikës së Kosovës, dhe ne jemi krenar si kuvend që për të parën herë në emër të popullsisë sidomos të komunitetit shqiptar që kemi mbajt mbledhjen solemne”, tha ai.

Ai gjithashtu shtoi se do të vazhdojnë rrugën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për të mirën e Kosovës.

Përveç komunës së Mitrovicës së Veriut, seancë solemne kanë mbajtur edhe komuna e Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Kërkesë për mbajtjen e aktiviteteve për Epopenë e UCK-së për komunat veriore, ka bërë Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal.