Hamza: Jasharët s’e mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, por dinjitetin e shqiptarëve
Foto: Laura Hasani

Hamza: Jasharët s’e mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, por dinjitetin e shqiptarëve

Aktuale March 05, 2025 - 15:36

Kandidati i PDK-së për kryeministër, Bedri Hamza, ka kujtuar me krenarin përvjetorin e Epopesë së UÇK-së.

Duke vlerësuar heroizmin dhe sakrificën e komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, ai ka thënë Jasharët nuk e mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë.

Hamza, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka bërë me dije se kjo familje legjendare ka mbrojtur dinjitetin e gjithë shqiptarëve.

“Nga sot, me krenari i kujtojmë ditët e lavdisë dhe krenarisë kombëtare, ditët e heroizmit dhe sakrificës së madhe të komandantit Adem Jashari dhe familjes së tij. Jasharët nuk e mbrojtën vetëm pragun e shtëpisë, por e mbrojtën dinjitetin e shqiptarëve. Angazhimi i tyre për lirinë ishte një thirrje e vazhdueshme për rezistencë. Një thirrje për t’u ngritur kundër padrejtësive dhe për ta mbrojtur atdheun tonë. Ata, kësaj thirrjeje, i dhanë përgjigje jo me fjalë, por me jetët e tyre!”, ka shkruar Hamza.

Sipas tij, UÇK-ja është vlera që duhet t’i flasë çdo gjenerate.

“Duke punuar me nder, me integritet e dinjitet për një Kosovë më të mirë, ne i nderojmë edhe të rënët për lirinë dhe pavarësinë tonë. Sot e përgjithmonë, UÇK-ja është vlera që duhet t’i flasë çdo gjenerate! Nder e lavdi për komandantin Adem Jashari dhe familjen Jashari!”, ka shkruar Hamza.