
Kurti insiston që Prokuroria të shkojë në zyrën e tij për dëshmi: Po luftohet Qeveria në vend të korrupsionit
Kryeministri Albin Kurti edhe sot ka thënë se është i gatshëm të dëshmojë për Prokurorinë Speciale, por këtë duhet ta bëjë në zyrën e tij dhe jo në objekt të Prokurorisë.
Kurti sot në Gjilan tha se nuk ka refuzuar asnjëherë dëshminë dhe përmendi letrën e tij, ku kishte caktuar orare për dëshmi, por që Prokuroria nuk ishte përgjigjur, transmeton Zeri.info.
“Së pari, unë asnjëherë nuk kam thënë se nuk do të jap dëshmi ose refuzoj të jap dëshmi, përkundër kam thënë që jam jo vetëm i gatshëm, por i interesuar të dëshmoj. Në anën tjetër, kam shkruar edhe letrën me oraret se kur mund të bëhet dëshmia. Unë i mirëpres Prokurorinë e Shtetit në zyrën e kryeministrit, ka pasur raste edhe në të kaluarën kur prokurorët, kanë ardhur për kryeministra madje jo si dëshmitarë, por edhe si të pandehur, prandaj nuk ka asnjë arsye që kjo të mos vazhdohet. Qysh në muajin dhjetor ka qenë e mundur që të kryhet ky intervistim dhe të jepet dëshmia, nëse Prokuroria e ka pasur kaq të rëndësishme, ajo do të vinte te ne”, deklaroi Kurti para gazetarëve, transmeton Zeri.info.
Ai tha se Prokuroria nuk ka qëllim të luftojë korrupsionin, por, siç u shpreh, të “mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi”.
“Për bindjen time të fuqishme, Prokuroria është më e interesuar që të mbushë ballinat e ndonjë portali të oligarkut sesa të sjellë drejtësi. Kurrë Prokuroria në Kosovë s’ka qenë më e lirë për të vepruar, fatkeqësisht që lirinë e përdor për ta luftuar Qeverinë dhe jo krimin e korrupsionin, unë e ritheksoj që jam i gatshëm që të dëshmoj”, tha Kurti. /Zëri