Iniciativa CorrWatch: Të ndalohet praktika e funksionimit me ushtrues detyre në ndërmarrjet publike

Iniciativa CorrWatch: Të ndalohet praktika e funksionimit me ushtrues detyre në ndërmarrjet publike

Aktuale March 04, 2025 - 10:50

Iniciativa CorrWatch ka shprehur shqetësimin e thellë me zhvillimet e fundit rreth procesit të funksionimit të pozitës së kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjet publike si KEK dhe “Trepça” me ushtrues detyre.

Në një komunikatë, nga kjo iniciativë thuhet se CorrWatch po përcjell me vëmendje ndryshimet e shpeshta të të përzgjedhurve për pozitën e kryeshefit ekzekutiv në ndërmarrjet publike – me fokus të veçantë tek KEK-u dhe “Trepça”. Është e papranueshme që këto ndërmarrje të cilat për shkak të sektorëve të operimit, si dhe rëndësisë ekonomike të tyre të funksionojnë me ushtrues detyre.

“Kodi i Etikës dhe Qeverisjes Korporative të Ndërmarrjeve Publike (tutje: Kodi) e thotë qartë se ‘Kryeshefi Ekzekutiv është pozita më e rëndësishme në Ndërmarrje. Ky është personi i cili duhet të udhëheqë menaxherët e lartë dhe kështu në mënyrë kolektive, ata menaxhojnë Ndërmarrjen të arrijë sukses në implementimin e planit të biznesit”. Përtej kësaj, Kodi i përcakton qartë një mori përgjegjësish dhe kompetencash të ndërlidhura me këtë pozitë. Ndër to, Kryeshefi duhet të sigurohet për përpilimin e caqeve strategjike, të sigurojë rritjen fitimprurëse të Ndërmarrjes, dhe arritjen e objektivave të biznesit.

Mos pasja e mandatit të plotë ashtu siç përcakton Ligji për ndërmarrjet publike dhe Kodi ka pasur edhe pasojat e veta në mbarëvajtjen e punës së ndërmarrjeve publike të cilat janë reflektuar në dështim për të arritur objektivat strategjike dhe përmbushjen e planit të biznesit”, thuhet në komunikatë.

Sipas CorrWatch, ushtrimi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv pa një mandat të plotë vë në rrezik operimin ekonomik jo vetëm për ndërmarrjet në fjalë, por edhe të ekonomisë në përgjithësi për shkak të sektorëve kritik të operimit të këtyre dy ndërmarrjeve. Përmes këtyre lëvizjeve po krijohet një praktikë e keqe e qeverisjes korporatave, e cila mund të sjellë pasoja të mëdha në ekonominë e vendit.

Andaj, përmes këtij reagimi, CorrWatch kërkon përzgjedhjen me mandat të plotë të Kryeshefit Ekzekutiv të KEK-ut dhe “Trepçës”.