
Rihapet konkursi për drejtor të QKUK-së
Aktualisht drejton Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në pozitën e ushtruesit të detyrës.
Por Osman Hajdari ka ambicie që këtë institucion ta udhëheq me mandat të plotë.
Andaj, ka aplikuar për pozitën e drejtorit të QKUK-së në nëntorin e vitit të kaluar.
Megjithatë rrugëtimi i Hajdarit drejt këtij procesi mbeti në gjysmë.
Meqë konkursi u anulua.
E arsyet nuk i di plotësisht Hajdari, por e mirëkupton një situatë të tillë.
“S’kemi pasë ndonjë informacion zyrtarisht arsyen e anulimit, përpos disa procedurave teknike, kështu që edhe për mendimin tim ka qenë krejt okej, është në rregull, janë gjana që shpesh herë në procedura administrative na ndodhin lëshime qoftë të institucionit qoftë të ndonjë kriter i caktuar i cili nuk është sqaru sa duhet, por nuk kemi pasë ndonjë sqarim të plotë pse arsyeja e anulimit”, shprehet Hajdari.
Megjithatë ditët e fundit konkursi për drejtor të QKUK-së është rihapur.
Kësisoj, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të QKUK-së e bëri një aplikim të dytë.
“Kriteret pak a shumë janë të ngjashme, nuk ka ndonjë ndryshim në aspektin teknik, kështu që po pres afatin e përfundimit të konkursit, janë edhe disa ditë…”, thotë ai.
Por konkurse të tjera për Drejtorë të Klinikave në QKUK akoma nuk janë rihapur.
Ato vazhdojnë të jenë ‘’të ngrira’’ që nga janari i këtij viti.
Bëhet fjalë për pozitën e Drejtorit të Klinikës së Pediatrisë dhe Drejtorit të Klinikës së Kirurgjisë Torakale.
Sipas njoftimit të SHSKUK-së, anulimi i pjesshëm i këtij konkursi publik ishte bërë për shkak të shkeljeve procedurale dhe materiale gjatë procesit të verifikimit të kandidatëve.
Tëvë1 ka kërkuar nga SHSKUK përgjigje se kur do të rihapet konkursi për këto pozita, por deri në publikimin e kronikës ky institucion nuk ka kthyer përgjigje.