Osmani e ambasadori i BE-së në Kosovë flasin për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve

Osmani e ambasadori i BE-së në Kosovë flasin për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve

Aktuale March 03, 2025 - 16:37

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim Ambasadorin e Bashkimit Evropian në Kosovë, Aivo Orav.

Gjatë këtij takimi u bisedua për zhvillimet më të fundit në vend, pra procesin zgjedhor dhe hapat e mëtejshëm për konstituimin e institucioneve të reja, raporton Zeri.info.

Osmani ndër tjera shprehu mirënjohjen e saj për angazhimin dhe prezencën e Misionit Vëzhgues të BE-së.

Bëhet e ditur se është diskutuar edhe për një sërë vizitash të zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian, të cilët pritet ta vizitojnë Kosovën në javët dhe muajt në vijim.

“Këto vizita do të jenë një mundësi e mirë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit në mes të Kosovës dhe BE-së, veçanërisht në fushat kyçe të zhvillimit dhe integrimit evropian”, vlerësoi e para e shtetit.

Po ashtu presidentja Osmani theksoi rëndësinë e angazhimit të përbashkët për të çuar përpara prioritetet strategjike të vendit, me fokus të veçantë në forcimin e institucioneve demokratike dhe përshpejtimin e rrugëtimit evropian të Kosovës.

“Me këtë rast, Presidentja Osmani ripotencoi edhe njëherë rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat përfundimisht po i dëmtojnë qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë. /Zëri