Presioni i Kurteshit mbi vëzhguesit, Krasniqi: E papranueshme, këto ndërhyrje të ndalen menjëherë!
Foto: Laura Hasani

Presioni i Kurteshit mbi vëzhguesit, Krasniqi: E papranueshme, këto ndërhyrje të ndalen menjëherë!

Aktuale March 03, 2025 - 15:06

Në një video të publikuar nga “Nacionale” shihet anëtari i Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi, teksa kërcënonte e i bënte presion një zyrtari të KQZ-së aty.

Në lidhje me këtë, Albert Krasniqi nga Demokracia në Veprim është shprehur se çdo përpjekje e anëtarëve të KQZ-së për të ndërhyrë në punën e komisionerëve dhe vëzhguesve, siç tha ai, është tërësisht e papranueshme.

Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, tha se këto ndërhyrje duhet të ndalen menjëherë, siç u shpreh, për të garantuar integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve.

“Modeli i përcaktuar për KQZ-në në Kosovë është ai i një institucioni të pavarur, ku anëtarët e saj betohen për të shërbyer në mënyrë të paanshme dhe profesionale. Çdo përpjekje e anëtarëve të KQZ-së për të ndërhyrë në punën e komisionerëve dhe vëzhguesve të subjekteve politike, përmes ndikimit apo presionit, është tërësisht e papranueshme”.

“Këto ndërhyrje duhet të ndalen menjëherë për të garantuar integritetin e procesit të numërimit të fletëvotimeve. Në të kundërtën, Presidentja e Kosovës duhet të ndërmarrë masa për shkarkimin e anëtarëve që shkelin detyrimet e tyre, veçanërisht ndaj atyre që janë përsëritës në cenimin e administrimit të zgjedhjeve”, shkroi tutje Krasniqi.