
I biri i Alban Bujarit: Gjurmët e tij s’harrohen asnjëherë
Në Bibliotekën Kombëtare në Prishtinë u mbajt mbledhja komemorative “Alban Bujari, fotoreporteri i së vërtetës”, në nderim të veprës dhe jetës së fotoreporterit Alban Bujari.
Të pranishmit me nga një fjalë rasti i përshëndetën bashkëshortja dhe djali.
I biri i Alban Bujarit, Zjarri, ka thënë se gjurmët e tij nuk do të harrohen asnjëherë.

“Babi me fund të luftës e pati edhe një copë të mendjes së vet që palëvizshëm mbeti në atë kohë. Ishte një burrë besnik, i ndershëm, i sinqertë, modest, kategorik e parimor, e madje edhe kokëfortë. Vitet, dekadat e shekujt do të shkojnë, por gjurmët e babit do të mbesin e nuk do të harrohen. Ai nuk arriti të plakej bashkë me neve, ai nuk plaket kurrë”, ka thënë ai.
Ndërsa bashkëshortja e Bujarit, Jeta Dida-Bujari, thasë mungesa e tij është e pamatshme, ndërsa dhimbja për humbjen e tij është e pafundme.

“Albani ishte sytë tanë për realitetin, duart tona për drejtësinë dhe zëri ynë për të pathënat. Për mua, për ne, ai ishte shumë më tepër se fotograf. Që më mbushi zemrën me dashuri, që më mbajti dorën në kohë të vështira, njeriu që i mësoi fëmijët tanë të jenë të ndershëm, të guximshëm dhe të mos kenë frikë të ëndërrojnë. Mungesa e tij është e pamatshme, dhimbja për humbjen e tij është e pafundme”, është shprehur ajo. /Eo