
Peci kritikon sistemin e drejtësisë për pronën e shtetit në “Ulpianë”, kërkon hetim për ish-ministrat e Bujqësisë
Përgjegjësia e sistemit të drejtësisë dhe ndërhyrja në çështjet e pronës shtetërore kanë qenë sërish cak i kritikave, kësaj here nga ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Kritikat e tij ndaj sistemit të drejtësisë lidhen me një vendim të Gjykatës, që ka pamundësuar përkohësisht rikthimin e pronës së Ministrisë së Bujqësisë në “Ulpianë”.
Peci ka shkruar në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook se janë bërë një vit e gjysmë nga marrja e këtij vendimi.
“Mirëmëngjesi sistemi selektiv i drejtësisë. Janë bërë një vit e gjysmë, 18 muaj apo 550 ditë prej se Gjykata mori vendim për masë të përkohshme, rrjedhimisht pamundësimin e përkohshëm të rikthimit të pronës së Ministrisë së Bujqësisë në Ulpianë tek titullari. Kjo masë e përkohshme me tendencë të përhershme…”, ka shkruar Peci.
Ministri ka kërkuar nga gjykata që të tregoi se: “Si u bë e mundur që prona e shtetit të tjetërsohet te personi fizik? Kur dihet se një gjë e tillë është e ndaluar me ligj… Kush është gjyqtari apo gjyqtarët që morën një vendim të tillë për tjetërsimin e hapësirës prej 159 metra katror? Si është e mundur që nga 159 metrat e tjetërsuara nga prona e shtetit tek personi fizik të ushtrohet veprimtari biznesore në rreth 900 metra katror që janë pronë e Ministrisë së Bujqësisë?”.
Peci ka pyetur tutje nëse janë intervistuar ish-ministrat e Bujqësisë.
“Duke qenë se sistemi i drejtësisë kohët e fundit ka qenë shumë azhur në ftesat ndaj niveleve të larta drejtuese për intervistim, dhe meqenëse dëmi i shkaktuar institucionit dhe interesit publik me pronat e ministrisë kapë shifra qindra milionëshe a i keni intervistuar ish ministrat e Bujqësisë?”, ka shkruar Peci.
Ministri ka theksuar se do të duhej të jemi koshient të gjithë, që kodi penal e ka qartë të definuar rastet kur titullari edhe me mosveprim toleron abuzimin dhe tjetërsimin e pronave dhe dëmtimin e interesit shtetërorë dhe publik.
“Në anën tjetër, mekanizmat e drejtësisë me vesh në lesh”, ka shkruar Peci.