Ahmeti i BDI-së paralajmëron bojkot të zgjedhjeve lokale
Foto: Laura Hasani

Ahmeti i BDI-së paralajmëron bojkot të zgjedhjeve lokale

Aktuale March 01, 2025 - 19:47

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka deklaruar sot se, në rast se Gjykata Kushtetuese e Maqedonisë së Veriut do të bëjë ndryshime në ligjin për përdorimin e gjuhës, ata do t`i bojkotojnë zgjedhjet lokale të tetorit. Pushteti atje këtë reagim të Ahmetit e kanë quajtur dëshpërues.

Nëse Gjykata Kushtetuese e prek Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve, nuk do të ketë zgjedhje lokale, të cilat janë të planifikuara të mbahen në tetor të këtij viti. Kështu ka porositur nga Likova, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.

"Në qoftë se preket ligji I gjuhës, nuk ka zgjedhje lokale dhe nuk mundet të vendosen kuti për të mbajtur zgjedhje lokale, nëse preket ligji I gjuhës, dhe ligji I gjuhës nuk është I BDI-së, ligji I gjuhës është edhe I atyre që do lindin deri sa të lindë dielli. Prandaj duhet ti dalë cdo shqiptarë zot ligjit të gjuhës dhe as mos ta politizojnë dhe as mos ta problematizojnë”, tha ai.

Koalicioni VLEN i cilëson si dëshpëruese paralajmërimet e kreut të BDI-së, Ali Ahmeti, për bojkot të zgjedhjeve lokale.

"Ne e shohim çdo ditë e më shumë se z.Ahmeti është i frikësuar nga zgjedhjet lokale dhe bënë çdo gjë të pamundur t’i ikë zgjedhjeve lokal edhe t’i bojkotojë ato, tha Bilall Kasami, kryetar i Lëvizjes Besa.

Informatat e tona janë se brenda BDI-së seriozisht diskutohet që mos të marrin pjesë në zgjedhjet lokale dhe ne këtë e shohim vetëm një lëvizje të z.Ahmeti në drejtim të krijimit të alibisë së mos të marrë pjesë në zgjedhje”.

Ligji për përdorimin e gjuhëve ndodhet për vlerësim në Gjykatën Kushtetuese. Ligji e përcakton gjuhën shqipe si gjuhë zyrtare, por vetëm në territorin ku shqiptarët përbëjnë më shumë se 20 për qind të popullsisë lokale.