
490 gra fillojnë procedurën e IVF-it në QKUK, së shpejti nis furnizimi me preparate hormonale
490 gra kanë përfunduar procedurën e parë të Fertilizimit të Asistuar Mjekësor, e njohur si IVF në Gjinekologjinë e QKUK-së. Kjo procedurë zgjat me disa faza, fillimisht, përpunohen analizat dhe bëhet një klasifikim se cilat janë ata pacientë që mund t’i nënshtrohen procedurave të IVF-it, raporton Ekonomia Online.
Por për ta mundësuar realizimin e një ëndrre të shumë çifteve kosovare që të bëhen prindër, QKUK-ja është duke siguruar të gjitha preparatet e nevojshme, përfshirë këtu edhe hapjen e tenderimit. Bëhet fjalë për sigurimin e preparateve hormonale që shërbejnë për stimulimin e pacientëve.
Zef Ndrejaj, drejtor i Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK në një intervistë për Ekonomia Online thotë se kanë përfunduar fazën e parë të këtij procesi që është diagnostikimi i pacientëve.
“IVF apo siç themi ne faza e fërtilizimit të asistuar mjekësor ka filluar me trajtimin apo diagnostikimin e pacientëve që nga mesi i dhjetorit. Shërbimi i IVF-it zgjat disa periudha, nuk është procedurë që kryhet me një intervenim, këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë, pra jemi në fazën e parë të diagnostikimit dhe përpunimit të pacientëve. Në fazën e parë merren pacientët në ambulancat specialistike diagnostikohen, përpunohen, shikohen analizat dhe bëhet një klasifikim cilat janë ata pacientë që mund t’i nënshtrohen procedurave të IVF-it. Deri në këtë fazë i kemi dikund 490 pacientë të cilët janë diagnostikua dhe kanë mundësi për ta bërë intervenimin me IVF. 250 të tjerë janë në pritje, pra është një numër i madh që kanë kërkesa për procedura të IVF-it”, thotë Ndrejaj, teksa tregon edhe për fazat tjera që e presin një paciente. Por për ta bërë këtë, nevojiten disa preparate për të cilat thotë se janë në proces të tenderimit. Këto preparate janë hermonale dhe nevojitet që pacientët të stimulohen.
“Pas fazës së parë, fillojmë me fazën e dytë që është faza e intervenimit apo stimulimit të vezorëve për ta bërë procedurën intervenuese. Faza e dytë do të fillojë posa të sigurohen të gjitha preparatet që janë disa preparate hormonale që kanë nevojë pacientët për stimulim, jemi në proces të tenderimit të preparateve që pritet brenda javës të sigurohen dhe të fillohet me rastet e para të stimulimit, pastaj vjen faza intervenuese apo faza e transferit të qelizave të barrësimit. Pra është një procedurë e IVF-it që zgjat disa javë ose muaj, kështu që nuk ka asnjë vonesë në zhvillimin e IVF-it”, u shpreh Ndrejaj.
Krahas diagnostikimit të 490 pacientëve të parë edhe 250 gra tjera janë në pritje për diagnostikim. Ndrejaj thotë vonesat janë normale pasi vetë procesi kërkon kohë.
“250 gra janë në pritje për diagnostikim dhe përpunim, ndërsa 490 gra u është dhënë ‘drita e gjelbër’. Tash janë caktuar terminët dhe presim preparatet që kanë shkuar përmes listës esenciale. Në momentin që jemi të gatshëm, ne do të fillojmë edhe me stimulimin, por nuk ka ngecje në zhvillim të procedurave të IVF-it”.
“Krejt mandej varet prej pacientit, pra përpunohet me terapi hormonale, ndoshta zgjat 10-14 ditë faza e trajtimit me terapi hormonale, sepse të gjithë pacientët nuk munden me pas veprimin e njëjtë hormonal. Nëse është veprimi i kënaqshëm, merret qeliza, bëhet barrësimi jashtë dhe bëhet transferi te pacientja. Edhe kjo fazë merr disa javë, pra është procedurë që zgjat pak”, thotë Ndrejaj.
Ndrejaj thotë se mosha deri në 42 vjeçe për gratë që duan t’i nënshtrohen IVF-së, është caktuar në bazë të standardeve ndërkombëtare.
“Mosha do të jetë e përcaktuar mbi 42 vjeçare për shkak me u dhënë përparësi atyre grave që pritet suksesi më i madh tek to. Të gjithë do të provohen aty ku kemi mundësi por janë disa raste që mosha e përcakton që pa donatorë mbi moshën 42 vjeçare është problem të arrihet një shtatzëni pa ndonjë donator. Pra janë disa kritere që neve na detyrjnë që ta bëjmë këtë përpunim të pacientëve por jo me dëshirën tonë, por do të bazohemi në procedurat operative standarde”, thotë ai.
Në QKUK, ky shërbim do të ofrohet falas dy herët e para, ndërsa më pas çmimi për procedurë do të jetë rreth 670 euro.