
Varroset fotoreporteri Alban Bujari
Është varrosur sot fotografi i njohur kosovar Alban Bujari në varrezat e qytetit në Prishtinë.
Në varrimin e të ndjerit morën pjesë një numër i madh i familjarëve, miqve, të afërmve dhe kolegëve të tij.
Lajmin për vdekjen e tij e bënë të ditur familjarët dhe të afërmit.
I ndjeri ishte fotoreporter gjatë luftës së fundit në Kosovë, ku dhe hapi ekspozitën e quajtur “Erë Gjaku”, ku u kujtua Masakra e Rogovës së Hasit në Gjakovë, aty ku forcat serbe vranë e më pas masakruan 21 luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe disa civilë të këtij fshati.
Bujari po ashtu ekspozoi shumë fotografi nga masakrat në burgun e Dubravës, Reçak, Prekaz, Krushë e vise tjera, foto këto që tregojnë krimet e masakrat të cilët serbët i kryen ndaj shqiptarëve. Këtë ekspozitë ai e pati quajtur “Rrugëtimi drejt lirisë”.
I ndjeri po ashtu kishte ekspozitë edhe nga koha e pandemisë, të cilën e quajti “COVID-19”, për t’i treguar qytetarëve atë çka humbën e s’e panë shkaku i izolimit.