Masat e BE-së po u krijojnë probleme komunave të Kosovës

Masat e BE-së po u krijojnë probleme komunave të Kosovës

Aktuale February 28, 2025 - 09:21

Komuna e Prishtinës thotë se masat ndëshkuese të vendosura ndaj Kosovës janë shkaktar i mosrealizimit për të paktën katër projekte kapitale, të cilat do të zhvillonin ekonominë e vendit dhe do të lehtësonin jetën e qytetarëve.

Objekti i cili ndryshe njihet si ish-shtëpia e mallrave “Gërmia”, Komuna e Prishtinës kishte paraparë që ta shndërronte në sallë koncertale. Për këtë çështje kishte pasur edhe një kompani fituese për projektin ideor. Megjithatë, një gjë e tillë nuk u realizua si shkas u tha të jenë masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Por, përveç sallës koncertale, shkak i masave ndëshkuese të BE-së, Komuna e Prishtinës mbeti edhe pa projekte të tjera kapitale.

“Projekte të tjera që nuk u realizuan si shkak i masave ndëshkuese të BE-së janë edhe unaza e jashtme e Prishtinës, Teatri i operës dhe baletit si dhe fshati Olimpik. Këto projekte priteshin të përfundonin me fonde të programeve të BE-së IPA2, me vlerë prej mbi 90 milionë euro”, tha Donat Lushaku, nga Komuna e Prishtinës për rtv21.

Me bllokim të projekteve nga fondet e BE-së, u ballafaquan edhe komuna të tjera. Ndërsa kryetari i dhomës së tregtisë Skënder Krasniqi, thotë se me masat e BE-së, pashmangshëm u ndëshkuan edhe bizneset në Kosovë.

“Po bizneset tona do t’i përfundonin këto projekte kapitale pra është zinxhirë: Dhe ne po flasin për qindra miliona euro humbje sepse tash jemi në vitin 2025 dhe mjetet janë ndalur vitin 2023, 2024 dhe tash 2025″, tha Krasniqi

Qeveria e Kosovës në vazhdimësi këto masa i ka cilësuar si të padrejta, ndërsa 2 vjet pas nuk ka më asnjë arsye që këto masa të jenë në fuqi.

BE-ja nuk ka dhënë ndonjë afat të caktuar se kur do të hiqen masat ndëshkuese ndaj Kosovës. Ndërsa për heqjen e masave nevojitet konsensus i plotë i 27 shteteve anëtare të BE-së, megjithatë vlerësohet se një numër shtetesh të BE-së përfshirë Francën dhe Italinë janë kundër heqjes së plotë të masave dhe se ato duan që heqja e tyre të bëhet me kushte dhe në mënyrë graduale.