
Vdes fotoreporteri Alban Bujari
Ka vdekur të enjten fotoreporteri i mirënjohur Alban Bujari. Bujari ishte një ndër fotoreporterët më të shquar të Kosovës dhe ndër të parët që ka dokumentuar periudhën e luftës në Kosovë gjatë viteve 1997-99.
Alban Bujari ka nisur karrierën e tij në të përditshmen “Koha Ditore” në vitin 1997, duke u bërë pjesë e grupit të fotoreporterëve kosovarë që kanë përcjellë zhvillimet politike dhe sociale të fundviteve të ‘90ta. Në veçanti përleshjet e armatosura mes UÇK-së dhe forcave serbe dhe krizën humanitare të refugjatëve shqiptarë të Kosovës.
Gjatë kësaj periudhe, puna e Albanit u botua në mediat më prestigjioze ndërkombëtare, si “Time”, “Sunday Time”, “The Independent”, “The Guardian”, “El Pais”, “Fokus”, “Suddeutche”, “Zeitung”, “Kyoto News” e plot të tjera.
Ndër fotografitë më të dalluara janë ato të masakrimit të familjes Jashari në Prekaz më 1998, masakrën e Reçakut më 1999, masakrën e shqiptarëve në Rogovë më 1999. Dhe pos të tjerash edhe faktimin e transformimit të UÇK-së në TMK e deri në FSK-në profesionale me synim në NATO.
Alban Bujari gjithashtu ka punuar edhe për agjencinë evropiane të shtypit EPA, përgjegjës për mbulimin e kryengritjes së armatosur në Kosovë gjatë viteve 1998-99.